Tiranë, 5 shkurt 2011, NOA – Selia rozë ka reaguar në drekë edhe ndaj deklaratave të sotme të Kryeministrit Berisha, i cili në mbledhjen e sotme të qeverisë e cilësoi 21 janarin si e premtja e zezë e flakës për pushtet. Në një konferencë të shkurtër për mediat, Anëtarja e Asambesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Megi Ajtyresa deklaroi se Kryeministrit Berisha duhet t’i vijë turp, pasi ashtu siç ai flet në mbledhjet e qeverisë në vitin 2011, nuk është folur as në kooperativën më të dështuar të regjimit të kaluar monist.
Me një gjuhë të dialektit shkodran qyteti i saj i lindjes, Ajtyresa theksoi se “Kjo qeveri ka lënë shqiptarët pa punë, pa shkollë, pa spitale, pa shpresë, duke vjedh me bllok në dorë siç e panë të gjithë në videohajnin e zëvendësit të Saliut”.
Ajtyresa e akuzoi rishtas Kryeministrin se ai i vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë. Në vijim të fjalës së saj, Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, e riakuzoi Kryeministrin Berisha se ai “Vrau shqiptarë të papunë për të vazhduar të vjedhë me bllokun e Metës në dorë”.
Ajtyresa deklaroi se demonstratat do të vazhdojnë, duke nënvizuar se “Shqipëria s’do të ndalet në rrugën e protestës deri në largimin e kësaj qeverie hajnash, një largim që sipas saj do të vijë me çdo çmim”.
mit/NOA