Vlorë, 5 shkurt 2011, NOA – Një ditë pas demonstratës së opozitës e shpërndarë në katër qytete kryesore në vend, Tiranë, Vlorë, Korçë e Lezhë, dega e Partisë Socialiste në Vlorë, dhe Kryetar i kësaj dege deputeti Eltar Deda falenderoi të gjithë qytetarët vlonjatë për pjesëmarrjen dhe mbështetjen në demonstratën e djeshme të opozitës. “Protesta jonë e djeshme, tejet paqësore, tejet e kulturuar dhe qytetare, tregoi se qytetari i Vlorës më shumë se çdo kush tjetër këtu, dëshiron ta këtë Vlorën të të gjithëve dhe jo ta ndajë atë në të majtë dhe të djathtë”, theksoi deputeti Deda në një konferencë për shtyp, duke bërë me dije se “të premten e 4 shkurtit iu bashkuan thirrjes së Partisë Socialiste dhe Opozitës së Bashkuar për të demonstruar kundër kusarisë së kësaj qeverie dhe zbardhjes së 21 janarit dhe vendosjes së demokracisë, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme mijëra qytetarë vlonjate dhe të qyteteve të jugut të vendit.
Sipas deputetit Deda vlonjatët, por jo vetëm dëshmuan dje se dinë të protestojmë qytetarisht kundër qeverisë.
Ai i siguroi qytetarët e Vlorës se PS do të vazhdojë të organizojë në Vlorë dhe në të gjithë qytetet e tjera të Shqipërisë protesta paqësore për largimin e qeverisë, duke argumentuar kështu se socialistët janë të palëkundur në mospajtimin e tyre me qeverinë e matrapazllëkut e korrupsionit.
“Po kështu i siguroj çdokënd se PS e Vlorës dhe të gjithë qytetarët e Vlorës, do të jenë çdo herë dhe më shumë në mbështetje deri sa në Shqipëri, jeta, demokracia dhe e drejta për të jetuar si qytetarë të Europës, të fitojë mbi pushtetin e pushtetarëve që qeverisin në mënyrë sundimtare dhe bajraktare”, përfundoi deklaratën e tij përballë mbështetësve në Vlorë, kreu i PS-së së Vlorës, Eltar Deda.
mit/NOA