English

Topalli: Mund ta mundim kancerin e gjirit, zonjat të bëjnë mamografinë në kohë

Tiranë, 5 shkurt 2011, NOA - Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë vizitës së sotme në repartin e Radiologjisë në Spialin Onkologjik, ku para pak ditësh u instalua një aparat i ri mamografie, me parametra teknologjikë bashkëkohorë, i ka bërë thirrje grave shqiptare, por edhe të rejave që të mos hezitojnë të bëjnë analizën e mamografisë për të parandaluar sëmundjen e rëndë të kancerit në gji, një sëmundje që sot shënon një vdekshmëri të lartë në vend. “Ne mund ta mundim këtë sëmundje, mjafton që zonjat, të vijnë të bëjnë mamografinë në kohë”, apeloi zonja Topalli.

E shoqëruar nga mjekët specialistë ajo u shpreh se “s’ka gjë më jetike e të rëndësishme për shoqërinë tonë se shpëtimi i jetës, e në mënyrë të veçantë i gruas, nënës, motrës”.

Ajo theksoi vendosmërinë e saj dhe angazhimin në luftën kundër kancerit.

“Kjo është një betejë e jona, një kryqëzatë e përbashkët, për ta mundur këtë sëmundje. Sot nga mjekët dhe shkencëtarët, sëmundja e kancerit nuk konsiderohet si një sëmundje fatale, por një sëmundje kronike, e cila mund të parandalohet, po të bëjmë kujdesin e duhur; të bëjmë kujdes që gjatë viteve, të vizitohemi te mjeku, për të parë në çfarë faze sëmundja është. Është tërësisht i mundshëm, eliminimi i situatave fatale”, tha zonja Topalli.

Kryetarja e Kuvendit falenderoi Qeverinë për plotësimin e rrjetit të shërbimeve të mamografisë në të gjithë spitalet rajonale të vendit dhe u angazhua për projekte të reja, në këtë drejtim.

“Së pari, unë dua të falenderoj mjekët dhe të gjithë ata që punojnë në këtë spital, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, që shërbejnë për ta bërë më të lehtë kapërcimin e momenteve të vështira, të sëmundjeve të rënda. Jam e kënaqur që në këtë spital është instaluar një mamografi e teknologjisë së fundit. Të tilla aparate mamografie janë instaluar, përveç këtij spitali, edhe në spitalet e qendrave rajonale Korçë, Fier, Elbasan”, bëri me dije Topalli.

Duke vlerësuar se ka një rritje të dukshme të ndjeshmërisë së grave për të bërë mamografinë, si mënyra e vetme për të parandaluar kancerin, Kryeparlamentarja Topalli nënvizoi se “kjo është një zile e madhe alarmi, sepse jo vetëm në moshat e reja, jo vetëm mbi moshën 40 vjeç, incidenca e sëmundjes së kancerit të gjirit është dyfishuar; ndoshta dhe realisht është trefishuar”.

mit/NOA

KOMENTE