English

Berisha: Shqipëria blu, shkojmë të sigurt drejt fitores

Tiranë, 6 shkurt, NOA Update – Kryeministri Sali Berisha tha sot se mazhoranca do të arrijë të fitojë në zgjedhjet e 8 majit, pasi është kundër alternativës së puçit. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, ai u shpreh se e djathta do të paraqes alternativën dhe programin me të mirë dhe më realist.

Ai tha se PD në 8 maj “shkojmë të sigurt drejt një fitoreje të thellë, drejt Shqipërisë blu. Në kontrast me puçin ne do u paraqesim lagjeve, blloqeve, njësive vendore alternativën më të shkëlqyer”, tha Berisha. Ai u shpreh se në zgjedhje do të hyhet bashkë me partitë në koalicion, që nënkupton ndarjen e “zonave dhe këshillave bashkiak” për të maksimalizuar fitoren.

Berisha tha se 8 maji do të jetë një vazhdim i rrugës së mazhorancës dhe mbajtja e premtimeve. “Ne jemi të sigurt për tu dhënë shqiptarëve një festë tjetër të demokracisë së tyre, për tu dhënë shqiptarëve një stacion të tyre në rrugën për konsolidimin e demokracisë. Shkojmë në zgjedhje të sigurt për një fitore të thellë dhe të merituar”, tha Berisha.

Ai prezantoi dhe mënyrën sesi do të zgjidhen kandidatët. “E gjithë anëtarësia e PD do të zgjedhjë kandidatura për kryetarë të njësive vendore, do të zgjedhin për parlamentet e bashkive dhe komunave gratë dhe burrat më të mirë, me të zotë, më të ndershëm", tha ai. Ndërkohë që do të jetë kryesia e PD-së që do të përcaktojë kandidatët. “Pa humbur kohë në të gjitha seksionet tona, me frymë të hapur demokratike do të përzgjidhen kandidaturat të cilat do t’i kalohen organeve qendrore të partisë”, tha kreu i qeverisë.

Ai u shpreh se do të paraqitet programi më i avancuar qeverisës për njësitë vendore në gjithë vendin. Duke folur për ngjarjet 21 janarit, ai tha se “vota e lirë ishte më e fortë se bandat e kriminelëve të mbledhur rreth puçistëve. Gardistët u dhanë përgjigjen e merituar atyre që qëndronin karshi institucioneve. Të gjitha këto dështuan sepse vota e lirë është e pathyeshme”, tha Berisha.

a.k/NOA

KOMENTE