English

El Baradei synon presidencën

Egjipt, 6 shkurt, NOA - Fituesi i çmimit “Nobel” për Paqen dhe njëkohësisht ish-kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA), Mohamed El Baradei, tha se është i gatshëm të drejtojë Egjiptin, nëse populli e kërkon këtë.

“Dua ta shoh këtë vend në shkojë drejt demokracisë, një demokracie të bazuar mbi drejtësinë sociale”, deklaroi El Baradei gjatë një interviste për rrjetin informativ CNN.

“Nëse populli më kërkon të drejtoj vendin, unë nuk do ta braktis”, theksoi ish-kreu i IAEA-s.

Në anë tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka përsëritur thirrjen që tranzicioni politik në Egjipt të fillojë menjëherë.

“E ardhmja e Egjiptit do të përcaktohet nga populli i këtij vendi. Është gjithashtu e qartë se ekziston nevoja që procesi i tranzicionit të fillojë tani.

Kjo periudhë tranzicioni duhet të nisë një proces të bazuar mbi respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe që çon në zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ka thënë Obama.

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha se ndryshimi është një “domosdoshmëri strategjike”, e cila do t’i bënte vendet e botës arabe më të forta, ndërsa njerëzit e tyre më të suksesshëm dhe më pak të ndjeshëm ndaj ideologjive ekstremiste.

Më herët, kryeministri britanik, David Cameron, tha se sa më shumë të shtyhen ndryshimet, “rriten gjasat që të kemi një Egjipt që s’do ta dëshironim“.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se do të ishte gabim që të mos mbështetën protestuesit që kërkojnë ndryshime.

NOA

KOMENTE