English

Kush ka gisht tek “21 Janari”

Kur, ku dhe kush e planifikoi dhe e realizoi masakrën e 21 janarit?

Av. Idajet Beqiri

21 janari 2011, me 4 viktima të vrara nga shteti, u bë kryetema e diskutimeve, debateve, analizave dhe opinioneve jo vetëm për politikën shqiptare, por për një komb të tërë. Madje kjo ngjarje është bërë temë debatesh edhe për një botë të tërë, sepse përcjellja që i kanë bërë masmediat botërore kësaj ngjarje, ka ngjallur reagime gjithfarëshe.

Për fatin e keq, politika përgjithësisht, por edhe analistët e përhershëm të “abonuar” në masmediat elektronike, e marrin të shkëputur këtë ngjarje nga historia njëzetë vjeçare e sundimit në Shqipëri të klasës aktuale politike. 21 janari 2011 nuk erdhi si “rrufeja në qiell të kaltër”. Kjo ngjarje nuk u përgatit një ditë më parë, sikurse e reklamon me spote televizive qeveria, me gjithë se lekët e reklamës i paguajmë ne taksapaguesit shqiptarë. Nuk erdhi as pas 28 qershorit 2009, kur opozita humbi zgjedhjet parlamentare, dhe për të ardhur në pushtet jo me vota, por me “dhunë”, sikurse justifikohet mazhoranca qeverisëse, përgatiti 21 janarin e dhunshëm!

21 janari erdhi si rrjedhojë e kapjes prej kohësh të politikës në këtë vend. Kjo kapje e ka zanafillën e saj historik qysh në dimrin e vitit 1990. Domosdoshmëria për ndryshim në këtë vit nuk ishte thjeshtë dhe vetëm rrjedhojë e faktorit të brendshëm shqiptar. Madje klasa politike shqiptare e atëhershme, ashtu sikurse edhe mendimi dhe veprimi intelektual, për arsye që tashmë dihen dhe janë analizuar, jo vetëm që nuk panë me largpamësi, nuk treguan përgjegjshmëri për fatet dhe ardhmërinë e popullit dhe të kombit të tyre, por përkundrazi e futën procesin historik në rrethin vicioz të ndërrimit të sistemit, me njerëzit më besnik të sistemit. Thënë më troç, sistemit komunist që sundonte në Shqipëri deri në vitin 1990, fytyra e të cilit mund të portretizohej më së miri me sektarizmin, zellshmërinë dhe egërsinë e dr. Sali Berishës, si sekretar partie dhe njeri i afërt i Bllokut, u konceptua të ndryshohej në sistem demokratik duke vendosur në krye të tij Sali Berishën! Kjo “formulë” që do të bënte përmbysjen e sistemit passolli mbushjen e të gjitha zgavrave të politikës së atëhershme me politikanë të oborrit komunist, bijë të tyre, ose për më keq, sahanlëpirës të tyre.

Nëse intelektualë të mirëfilltë, opozitarë të guximshëm, me kapacitete të larta mendore dhe me përgjegjshmëri kombëtare, vërshuan në dhjetor 1990 e më pas për t’iu bashkangjitur klasës politike, e cila u emërua për të realizuar ndryshimin e kahjes, me qëllimin e mirë të përmirësimit të saj, edhe përmes turbullimit të ujërave të ndenjura brenda saj, këto figura jo vetëm që morën si “shpërblim” përplasjen në fytyre të dyerve të hekurta, çelësat e të cilave i kishin të emëruarit nga komunistët për të bërë antikomunistin, por edhe ata që hynë, u mënjanuan shumë shpejt duke u lënë në dorë vetëm “çelësat e kashtës”!

Kjo fatkeqësi passolli ideimin dhe realizimin e një sërë veprimesh tragjike, të cilat në thelbin e tyre e shpërfytyruan shqiptarin, e bënë atë armik të vetvetes, e bënë vetëshkatërrues dhe vetëvrasës. Ndryshimi i menjëhershëm i karakterit, nga një njeri që skuqej kur bënte një turp, në një njeri që as nuk skuqet dhe as nuk zverdhet kur e bënë haptazi e në mes të ditës pamoralësinë dhe krimin, çoi në atë që komunistët fanatik e vrastar me luftën e tyre të klasës, duke bërë antikomunistin e egër, për t’u bërë të “besueshëm”, në emër të “demokracisë” vranë, dogjën, shkatërruan, dhe shpërfytyruan deri në pikën që nuk tregohet moralin shqiptar dhe të kombit të tyre të mirë dhe më të vjetër të Evropës.

Politika 20 vjeçare e pas viteve 1990, e mbushur me komunistë antikomunistë, si dhe me njerëz pa karakter, të cilët me gjithë se kishin vuajtur prej kësaj fare, pranuan të viheshin përsëri nën zgjedhën e tyre, e madje t’i konsiderojnë ata “demokratë të mëdhenj”, bëri që të mos kemi qoftë dhe progresin më të vogël në përmirësimin cilësor të klasës politike. Plotë 20 vjet ky vend nuk nxori qoftë edhe një burri të vërtetë shteti, i cili të vihej në krye të popullit dhe interesave të tij, e të sillej dhe të vepronte si njeri i popullit. Pse nuk ndodhi dhe nuk po ndodh kjo gjë? Sepse një popull dhe një komb i tërë mbahet peng i karaktereve të dobëta të krerëve të politikës shqiptare.

Kjo tragjedi e uzurpimit të politikës prej njerëzve pa karakter të shëndosh në vitin e kthesës që morëm, e cila për hir të së vërtetës na ndodhi vetëm ne shqiptarëve, sepse nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të lindjes që kaluan nga sistemi monist, në sistemin demokratik, na ka futur në rrethin vicioz të përjetimit të krizave të rënda politike, morale, ekonomike dhe kombëtare për plotë 20 vjet.

Klasa politike shqiptare që u caktua për të bërë ndryshimet e sistemit në vitin 1990, duke mos bërë as më të voglin ndryshim në thelbin e saj “gjenetik”, psikologjik, moral dhe qytetar, e ka deformuar rëndë demokracinë dhe po e mban peng për një kohë të gjatë vendin.

Në Shqipëri është vrarë qysh në lindje sistemi demokratik zgjedhor. Asnjëherë gjatë këtyre 20 vjetëve në këtë vend nuk janë bërë zgjedhje të lira dhe demokratike. Vullneti i popullit është deformuar dhe vota e tyre në vazhdimësi është vjedhur. Humbja e besimit në sistemin zgjedhor ka sjellë humbjen e besimit në të gjitha fushat e tjera jetësore të vendit. Kjo është arsyeja që mbi 50 për qind e shqiptarëve bojkotojnë në vazhdimësi zgjedhjet politike e vendore.

Vrasja e zgjedhjeve të lira ka çuar në një numër vrasjesh të tjera. Duke mos patur aspak frikë nga vullneti i popullit në zgjedhje, sepse qeveria këtë vullnet e vjedh dhe e shpërdoron sa herë të dojë, qeverisja e vendit është bërë arbitrare, arrogante e deri në vrastare ndaj popullit që ngre kokën dhe revoltohet prej korrupsionit, gangsterizmit, padrejtësisë, varfërisë, papunësisë dhe pasigurisë për jetën që ka mbërthyer Shqipërinë.

Duke vrarë zgjedhjet e lira (gjë e cila është bërë edhe me bekimin e faktorit ndërkombëtar, të cilët kanë patur dhe kanë pafytyrësinë për të pranuar dy standarde në zgjedhje, atë të vendeve të tyre, që është e kundërta e maskaradës në vendin tonë), në këtë vend bëhet vrasja e 2 prillit 1991 në Shkodër, dhe vrasësit e vërtetë i kemi në krye të shtetit.

U dogj dhe u shkrumbua 3 herë me radhë Shqipëria në vitin 1991-1992, duke u pakësuar pasuria kombëtare shqiptare me miliarda dollarë nga dëmet e pësuara, dhe zjarrvënësit morën dekoratën “Nderi i Kombit”.

U vodhën miliarda lekë kursime të shqiptarëve në vitet 1994-1997 me anën e firmave piramidale, të cilat i “bekoi” pushteti qendror i atëhershëm, i cili kishte vjedhur prej tyre “pjesën e Luanit”, dhe kur shqiptarët u rebeluan ndaj kësaj lukunie varfëruese, morën si “shpërblim” rënien e shtetit, ridjegjen e vendit, pragluftën civile që solli 10 mijë të vrarë për faj të shtetit, shpërfytyrimin tragjik të kombit shqiptar në sy të botës.

Kryengritja e armatosur që bëri kreu i PD-së Berisha në 14 shtator 1998, me një shkak që kishte filluar një vit e ca më parë, e që u finalizua me vrasjen makabër të Azem Hajdarit, me gjithë se solli një dëm të pallogaritshëm për integrimin e vendit dhe për reformat demokratike, në vend që të sillte përgjegjësi të rëndë morale e ligjore për organizatorët dhe pengmarrësit e vendit, bëri të kundërtën, ricikloi në krye të politikës kastën e vjetër që i vinte flakën vendit dhe vriste sa herë të donte ëndrrat, punën, sakrificat dhe të ardhmen evropiane të shqiptarëve.

Atë që pamë në 21 janar 2011, e kishim parë edhe në vitin 2004, por koka e derrit maç kishte ndërruar pozicionin e qëndrimit.

Në 28 qershor 2009 shqiptarët përjetuan të njëjtin gjë që kishin përjetuar në zgjedhjet e 22 marsit 1992, në zgjedhjet e pjesshme lokale në Libofshë, Greshicë, në zgjedhjet e majit 1996, në zgjedhjet e vitit 2001, të vitit 2005! Vajtën në zgjedhje afro 50 për qind e zgjedhësve, dhe vota e tyre u shpërfytyrua, siç është i shpërfytyruar pushteti.

Pra 21 janari 2011 e ka zanafillën e tij qysh në dhjetorin e vitit 1990, kur politika shqiptare u uzurpua prej antinjerëzve, prej atyre që nuk dinë ç’është urtësia, qetësia, mençuria, humanizmi, përgjegjshmëria ndaj popullit dhe vendit.

21 janari është rrjedhojë e një makutërie të pashembullt pushtetore kundër pasurisë kombëtare në përgjithësi, por edhe pasurisë së çdo qytetari në veçanti, të cilët varfërohen për ditë, sepse pasuria e tyre vidhet për ditë prej këtyre që vjedhin votën e lirë për të ardhur në qeverisje, dhe kështu vjedhin Shqipërinë edhe me ndihmën e shkopinjve të gomës, me burgjet, e deri me masakrat e tipit si ajo që pamë në 21 janar 2011.

21 janari nuk ishte “rrufe në qiell të hapur”! Para tij kreu i qeverisë tregonte barsoleta në qeveri, e qeshte me sarkazëm, duke e fshehur krizën qeverisëse me përralla “ekonomia shqiptare është Miss Bota”(!), në një kohë që shqiptarët varfërohen për ditë, dhe prej kësaj varfërie po hanë njeri-tjetrin, po bëjnë vrasje dhe vetëvrasje makabër brenda familjes, të pa dëgjuara dhe të pakonceptuara historikisht në kombin tonë, po mbushin burgjet “dingas”, duke zënë vendin e parë në botë për nga numri i të burgosurve për numër popullsie.

Në vend që qeveria të “shfryjmë kamerdaren” që po pëlcet nga pakënaqësia e madhe popullore, nga ajo pakënaqësi që shqiptari vret për pesë lekë të pista, që nxjerrë motrën, gruan e madje nënën nëpër semafore të kuqe, duke i bërë prostituta, për të fituar bukën e gojës, që i futet rrezikut që i rëndon me vite e vite burg mbi shpinë, duke mbjellë, shitur dhe trafikuar drogë, bënë të kundërtën. Mendon dhe vepron për t’u pasuruar edhe përmes këtyre fatkeqësive që u ngjajnë për ditë shqiptarëve. Kërkojnë investime dhe grande nga ndërkombëtarët për të ndërtuar burgje në çdo qytet të Shqipërisë për të mbajtur të izoluar qytetarët e këtij vendi, të cilat në shumicën dërrmuese të rasteve janë futur në rrugën e krimit prej varfërisë së tejskajshme, dhe kështu pushtetarët përfitojnë milionat e dollarëve nga tenderët!

21 janari ishte apel i fortë për çlirimin e votës së lirë. Ishte reagim i ligjshëm për despotizmin dhe reagimet e dhunshme të qeverisë dhe klasës politike në përgjithësi, kundër popullit Zot të vendit të vet dhe të fateve të tij. Demonstrata ishte një mësim që i jepet pushtetit ekzekutiv, i cili nuk e ka të drejtën dhe nuk e ka tagrin e popullit për të degjeneruar e vrarë me gjuhën e rrugës të gjitha institucionet legjitime të shtetit, si Presidentin e republikës, Prokurorin e Përgjithshëm, Shërbimin Informativ Shtetëror, Institucionin e Opozitës së vendit, këtë pasuri të vyer të sistemit demokratik. Kjo demonstratë që degjeneroi në dhunë në saj të një provokimi me dashje, për të mbajtur me çdo çmim karrigen e qeverisjes, edhe kur i qeverisuri ka vite e vite që nuk ia sheh dot më sytë kësaj klase politike, ishte reagim popullor për maskaradat televizive, gjuhën vulgare dhe amorale, e deri reagimet çmëndurore të kreut të qeverisë shqiptare dhe të të ashtuquajturve “përfaqësues të zgjedhur nga populli” në vendin e shenjtë të shtetit, sikurse është Kuvendi i Shqipërisë.

E mund të rendisnim plotë e plotë fakte dhe argumente të tjera se përse populli derdhet rrugëve, apo gjen rrugë të tjera të gabuara për të patur në vend këtë nivel kaq të lartë kriminaliteti dhe perversiteti moral e kombëtar.

Si mbyllje, klasa politike në përgjithësi, por ajo që është në qeverisje posaçërisht, në vend që të bëjnë rolin e strucit, që me që e mban kokën të futur në rërë, mendon se bythën nuk ia sheh askush, në vend që të zgërdhihen nga zori, kur duhet të qajnë dhe të ulërijnë, për fatkeqësitë e rënda që i shkaktojnë në vazhdimësi qytetarëve të vet, vendit të vet, deri me vrasje tragjike shtetërore që ripërsëriten në mënyrë ciklike për 20 vjet me radhë, në vend që të bëjnë rolin e llapaqënërisë së përdalë kundër njëri-tjetrit, të kurohen pikë së pari për t’u qetësuar shpirtërisht dhe mendërisht, e pastaj të qetësojnë dhe të urtësojnë gjithë politikën shqiptare.

Nuk është turp të ikësh në kohën e duhur. Përkundrazi, është vlerë, është burrëri, është mençuri, është gjithashtu përgjegjshmëri ndaj familjes tënde, e mbi të gjitha ndaj popullit tënd të largohesh dhe t’i hapësh rrugë një zgjidhje të re politike.

Po cila duhet të jetë kjo zgjidhje, dhe përse opozita kryesisht, por edhe mazhoranca gjithashtu, nuk e propozojnë dhe hedhin për diskutim formulën që zgjidh krizën në mënyrë afatgjate?

Kuvendi i dal nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009 është i brishtë, sepse palët janë ndarë barabartë, pavarësisht kontestimeve të rënda të palëve. Të qeverisi e djathta me votat e së majtës, për shkak se një lider i majtë bënë hesape kundërproduktive për popullin e vet, dhe tepër joshëse për xhepin e tij dhe të stafit që e rrethon, për një popull serioz dhe për një shtet ligjor është e papranueshme. Ndaj të mos kemi frikë, por të qetësojmë situatën dhe t’u drejtohemi kutive të votimit për zgjedhje të parakohshme. Situatën e qetësojnë politikanët e përgjegjshëm, të ditur dhe të urtë, të ndershëm dhe idealistë, dashamirës të popullit, vendit dhe kombit të tyre. Këta gjenden në të gjitha forcat politike, në pozitë dhe në opozitë.

Veç të mira do t’i vinë popullit dhe vendit nga krijimi i një qeverie të re me bazë të gjerë, me anëtarë qeverie nga të dyja forcat kryesore politike, qeveri e cila do të kishte si prioritete të saj qetësimin e situatës, rikthimin e besimit në popull se fatkeqësitë e deritashme e kanë një fund dhe e kanë një zgjidhje për mirë, si dhe ta çonte vendin në zgjedhje të reja parlamentare. Vonesat në një zgjidhje të tillë politike do i paguante edhe më shtrenjtë populli, e nga ana tjetër do të bëhej shumë vonë nesër për cilindo që do tentonte të kërkonte ndjesë për vonesën e sotme.

* Dërguar nga autori, pikëpamjet janë qëndrime personale

KOMENTE