Egjipt, 6 shkurt, NOA - SHBA dhe Europa kanë marrë një qëndrim të distancuar lidhur me zëvendësimin e shpejtë të presidentit egjiptian Husni Mubarak. Kancelarja Angela Merkel dhe ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton bënë thirrje në Konferencën për Sigurinë në Mynih, për një ndryshim të rregullt në vendin afrikanoverior dhe paralajmëruan për rrezikun e një veprimi të nxituar.
Parapërgatitjet për zgjedhje dhe zhvillimin e strukturave të reja kanë nevojë për kohë, tha Merkel. Clinton tha se është e rëndësishme që të mbështet procesi kalimtar i shpallur nga qeveria egjiptiane, i cili aktualisht do të udhëhiqet nga zëvendëspresidenti Omar Suleiman.
Konferenca e Sigurisë në Mynih do të zhvillojë sot ditën e fundit të punimeve konsultime për gjendjen në Afganistan. Krahas presidentit afgan Hamid Karzai do të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle dhe homologja e tij, franceze Michele Alliot-Marie.
NOA/DV