English

OSBE nis punën në ndihmë të drejtësisë Shqiptare

Tiranë, 6 shkurt 2011, NOA- Prezenca e OSBE-së ditën e nesërme nis diskutimet për një program të ri masteri në mbështetje të shërbimeve sociale në sistemin e drejtësisë.

Zhvillimi i një programi të ri të avancuar ndërdisiplinor studimesh me synimin për të përmirësuar standardet e shërbimeve sociale në përgjithësi dhe atyre të ofruara nga sistemi i drejtësisë në veçanti do të jetë tema e diskutimeve në një tryezë të rrumbullakët që do të organizohet të hënën nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Programi master në Administrimin e Institucioneve Sociale në Sistemin e Drejtësisë, i cili do të ofrohet nga Universiteti i Tiranës duke filluar nga viti akademik 2011-2012, pritet të përmbushë nevojën e institucioneve shqiptare për të shkolluar dhe trajnuar profesionistë të tanishëm dhe të ardhshëm, si dhe vullnetarët që punojnë me autorët e veprave penale në sistemin e drejtësisë penale.

Nevoja për një përgatitje të tillë profesionale doli pas themelimit të Shërbimit Kombëtar të Provës.

Programi i studimeve u drejtohet personelit të shërbimit të provës, punëtorëve socialë, psikologëve, mësuesve, sociologëve, nëpunësve të administratës publike, avokatëve, gjyqtarëve dhe personelit të administratës së burgjeve.

Pjesëmarrësit në tryezën e rrumbullakët përfshijnë përfaqësues të ministrive dhe të institucioneve të tjera shtetërore, përfaqësues nga gjyqësori, institucionet ndërkombëtare, si dhe nga organizatat e shoqërisë civile.

Diskutimet do të drejtohen nga Matthias Zander, zyrtar i lartë ligjor pranë Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, Arben Sefgjini.

a.y/NOA

KOMENTE