English

PDU, Idrizi: Çështja çame duhet të zgjidhet, PDU dhe PDI do bashkohen

Tiranë, 6 shkurt 2011, NOA – Pas deklaratave të Konsullit të Greqisë në Korçë, Theodhorus Ikonomu, i cili deklaroi në 20-vjetorin e themelimit të Omonias në këtë qytet se në Korça është Vorioepir dhe në Korçë ka grekë, të cilët nuk duhet t’i tremben regjistrimit të popullsisë, ka reaguar sot Kryetari i partisë së çamëve, PDU, Shpëtim Idrizi, i cili deklaroi se çështja çame do të vazhdojë në mënyrë të tillë që të zgjidhet përfundimisht masakra greke mbi të drejtat e çamërisë.

Duke folur për deklaratat e Nikolas Geixh, i cili në fshatin minoritar Sofratikë i bëri thirrje monoritetit grek në Shqipëri të bëjnë shumë kujdes me zgjedhjet lokale dhe procesin e regjistrimit të popullsisë mbi bazë etnie dhe përkatësie fetare, kreu i PDU-së theksoi se “Askush nuk i ka thënë këtij njeriu se ai do të vdesë me mentalitetin e kriminelit, që kthehet herë pas here në vendin e krimit. Ky njeri mburret se në Amerikë ka shkruar një libër ku tregon se nënën e vet e kanë vrarë me gjyq partizanët grekë. Atje tregon se është kthyer në Greqi, ka hetuar për urdhëruesin e vrasjes së të ëmës, dhe është lëkundur ta vrasë apo jo. Ky njeri, me mentalitetin e paraardhësve të vet kriminelë, vjen dhe na provokon sot në tokën tonë. Ky njeri guxon dhe të na tregojë ne në tokën tonë, se ne paskemi bashkëpunuar me gjermanët”, tha idrizi.

Duke iu referuar thënieve të Nikolas Gaxojanis, i cili kishte deklaruar se popullsia shqiptare e Çamërisë u përndoq për bashkëpunimin e vetë me nazistët dhe për këtë shkak duhet të rreshtohet në 14 milionë bashkëpunëtorët e tjerë të nazizmit, zoti Idrizi bëri me dije se “Ne shqiptaret e Çamërisë dhe unë personalisht i bëj thirrje Nikola Gaxojanit të shkojë sot në Markat, kur festohet përvjetori i themelimit të Batalionit Çamëria, pjesë e Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ku merrnin pjesë më shumë se 700 shqiptarë nga Çamëria. Nëse nuk shkon dot i errësuar e ngecur nga makthi i fantazmës se Vorio – Epirit, atëherë le të konsultohet me arkivat greke, për Batalionin IV “Ali Demi” të ELAS-it grek, që përmbante 800 çam në rradhët e saj e që luftuan përkrah grekëve në luftën për çlirimin nga nazizmi. Faktet flasin qartë, por Gaxojanis nuk mund t’i shohë ato”, nënvizoi kreu i PDU-së.

Ai e krahasoi Nikolas gaxojanis me eurodeputetin Dik Marti, i cili sipas Idrizit fajëson viktimën për krimin e fajtorit “të pafajshëm”.

“Deklaratat e kryera në zemrën e minoritetit grek janë fyese. Sepse, në batalionin “Çamëria” që feston përvjetorin e vetë ditën e dielë, krahas 700 shqiptarëve të Çamërisë kanë luftuar edhe 60 anëtarë të këtij minoriteti në vendin tonë. Gaxojanis, sikurse edhe shumë manipulues të tjerë, që deklarojnë se kanë mbështetjen apo votat e vëllezërve tanë minoritarë, tenton që të zh’bëjë historinë për të shpifur mbi kombin shqiptar dhe për të prishur marrëdhëniet mes nesh. Është në të vërtetë absurd se si mund që grekomanët të pretendojnë se shqiptarët e Çamërisë, që krijuan dy batalione të forcave antifashiste, nga katër që vepronin në gjithë zonën veriperëndimore të Greqisë, ishin kolaboracionist”, tha Kryetari i partisë së çamëve.

Ai theksoi se “Hijena si Gaxojanis e Dik Marti, vërtiten për kufoma sot duke menduar se vendi ynë është në vështirësi”.

Kryetari i Partisë për Drejtësi e Integrim i bëri sakaq thirrje politikës shqiptare, të mos lejojnë që vendi t’i përulet hijenave të tilla si Gaxojanis e Dik Marti.

Duke folur për zgjedhjet vendore, kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Unitet tha se kjo parti e çamëve të Shqipërisë do të punojë për një atdhe të fortë.

Deklaratat e Kreytarit të PDU-së u bënë gjatë festimit në Tiranë të 20-vjetorit të themelimit të Shoqatës Atdhetare Politike “Çamëria”, ku morën pjesë edhe qindra anëtarë të shoqatës.

Gjatë ceremonisë Kryetari i PDU-së Shpëtim Idrizi theksoi se bashkimi me partinë tjetër çame të Tahir Muhedinit ajo për Drejtësi dhe Integrim në një parti të vetme është vetëm çështje ditësh.

“Këto ditë madje ne presim të bashkohemi me vëllezërit tanë të PDI-së dhe do të kemi një parti të vetme. Një parti e vetme, që do të ngrihet mbi një bazament të fortë e solid mbi gjithçka, që Shoqata “Çamëria” ka bërë, mbi shumë çka që PDI ka bërë si partia e parë, që kishte në themel të programit të saj çështjen çame, mbi shumë çka, që PDU ka bërë në pak më shumë se një vit. Unë dhe Tahir Muhedini, që gjej rastin ta falenderoj publikisht për gjithçka ka bërë, e dëgjuam thirrjen e amanetit të të parëve, e ndjemë të fortë peshën e përgjegjësisë për të punuar së bashku për çështjen çame, e ne jemi bashkë. Legalizimi i bashkimit është çështje ditësh e unë ju ftoj të gjithëve që sot më shumë se kurrë të punojmë të gjithë bashkë, sepse sot është ora e Çamërisë, ora e shqiptarëve”, deklaroi zoti Idrizi.

Kreu i PDU-së premtoi se puna e nisur për zgjidhjen e kësaj çështjeje, krahas zgjidhjes së çështjeve të tjera kombëtare, që janë pika themelore në programin e PDU-së, tashmë do të jenë në unison me të gjithë aktorët politik, pas bashkimit të dy forcave politike.

Ai foli gjatë ceremonisë për arritjet e deritanishme në rrugën e zgjidhjes së çështjes çame.

Gjatë aktivitetit për 20-vjetorin e shoqatës “Çamëria” u nderuan me titullin “Nderi i Çamërisë“ historianët Beqir Meta, Pëllumb Xhufi dhe Kaliopi Naska, për kontributin e dhënë në zgjidhjen e kësaj çështjeje.

mit/NOA

KOMENTE