Kakavijë, 6 shkurt 2011, NOA Update – Operacioni policor antidrogë i koduar “Pengesa” ka bërë të mundur kapjen në pikën kufitare të Kakavijës të një shtetasi shqiptar, i cili po trafikonte përdrejt Greqisë rreth 15 kilogramë Marijuanë, të cilën e kishte fshehur në gomat e automjetit të tij. Specialistët e antidrogës në Drejtorinë Rajonale për Kufirin në Gjirokastër infomojnë se kanë marrë informacion në rrugë operative se shtetasi nga Fieri Edmond Golloshi, i cili kishte ardhur në Shqipëri para disa ditësh mund të trafikonte gjatë mbasdites së datës 06. 02. 2011, një sasi lënde narkotike në drejtim të shtetit grek, konkretisht drejt Selanikut, pasi atje jetonte dhe punonte përkohësisht.
Ky informacion bëri që efektivët e antidrogës të ndalonin rreth orës 14.30, të së dielës pranë pikës së kakavijës automjetin tip Seat ngjyrë e bardhë me traga greke KNE 1155, i cili drejtohej nga shtetasi 28-vjeçar Edmond Golloshi nga fshati Dukas i Fierit dhe që banonte përkohësisht në Selanik.
Policia e Gjirokastrës bëri të ditur se pas kontrollit në brendësi të dy gomave të pasme të automjetit si dhe në brendësi të dy gomave rezervë të këtij automjeti rezultoi se ishin fshehur pako të mbështjella me letër natriban dhe brenda tyre ishin fshehur rreth 15 kilogramë lëndë narkotike Marijuanë.
Edmond Golloshi është arrestuar dhe ndaj tij rëndon akuza për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Ndërkohë specialistët e antidrogës në Gjirokastër po punojnë për zbardhjen e plotë të këtij trafiku dhe implikimin e personave të tjera në të.
Tashmë materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për ndjekjen e mëtejshme të çështjes.
mit/NOA