E diel, 6 shkurt 2011, NOA- Në 30 vitet e fundit SHBA është eksportuesi më i rëndësishëm i armëve në Egjipt.
Është kjo një punë që prodhuesve amerikanë të armëve u ka sjellë një përfitim shumë të madh. Duket se këtyre punëve tani po u vjen fundi.
Shumë armë që tani shihen në Kajro si avionët F16, gazi lotësjellës i firmës Combined Systems International apo tanket në rrugët e Aleksandrisë janë të prodhimit amerikan.
“SHBA e ka armatosur në mënyrë masive regjimin e Mubarakut dhe ushtrinë egjitpiane në 30 vitet e fundit”, shpjegojnë ekspertët.
Përveç Izraelit, asnjë vend tjetër nuk ka marrë më shumë ndihma financiare se Egjipti. Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme amerikane, ndihmat ushtarake për Egjiptin nën titullin “Foreign Military Financing (FMF)” kapin shumën mesatare prej 1,3 miliardë dollarësh në vit, thotë William Hartung, ekspert ushtarak i Foncacionit Neë America.
Sipas disa të dhënave, prej ardhjes në pushtet të Mubarakut, ushtrisë egjiptiane i janë dërguar armatime në vlerë prej 40 miliardë dollarësh”, pohon ai.
Se a do të vazhdojë eksporti i armëve ende nuk është e qartë, thotë zëdhënësi i Obamës, Robert Gibbs: “Ende nuk është vendosur. Tani do të shikojmë me kujdes sjelljet e qeverisë egjiptiane dhe më pas do të vendosim”.
Ndihmat në armatim deri tani kanë funksionuar sipas parimit të shkëmbimit të mallrave: avionë, helikopterrë, raketa dhe armatime të tjera janë dërguar si kompensim për shërbimet paqësore të Mubarakut në Lindjen e Mesme dhe për respektimin e Marrëveshjes paqësore me Izraelin.
Kështu thuhet në një raport sekret të ambasadës amerikane në Kajro, që është botuar në platformën e internetit Wikileaks. Sipas këtij raporti, prej vitit 2009 ushtria amerikane ka edhe disa përparësi të tjera: anijet amerikane të parat mund të kalojnë kanalin Suez, ndërsa avionët ushtarakë mund të fluturojnë në çdo kohë mbi Egjipt, thotë Ëilliam Hartung.
“Si ushtria amerikane ashtu edhe prodhuesit e armëve janë të interesuar për një raport të mirë me Mubarakun. Vetëm gjiganti i armatimeve Lockhead Martin ka nënshkruar në 10 vitet e fundit kontrata për shitjen e armëve në Egjipt në vlerë prej 3,8 miliardë dollarë”, pohon ai.
Koncerni i dytë që ka përfituar më së shumti është General Dynamics, i cili në Egjipt ka shitur prej vitit 2001 tanke në vlerë prej rreth 2,5 miliardë dollarësh. Ndërsa në vendin e tretë është koncerni Boeing me kontrata në vlerë prej 1,7 miliardë dollarësh.
Në listën zyrtare të furnizueve të Egjiptit me armë janë koncernet amerikane Lookheed Martin, General Dynamics, Boeing, Raytheon apo General Electric dhe BAE Systems. Qeveria në Kajro i porosit këto armë ose tek ushtria amerikane ose në këto koncerne.
Për këto koncerne është tani e qartë: me përfundimin e periudhës së sundimit të Mubarakut, do të përfundojë edhe faza e përfitimeve të mëdha në këtë vend. Pasardhësit e Mubarakut me siguri që do të jenë më kritikë ndaj amerikanëve.
DW/NOA