English

Varfërim total

Agim Fjolla

Varfërinë e dallojmë kudo. Nuk na duhen këshilla, lupa apo edhe dylbi statistikash të përgatitura nga zyrat luksoze të paguara nga taksapagues perëndimorë për të parë, prekur, ndier, nuhatur e dëgjuar klithjet që bën përditë varfëria e mjerimi në jetën tonë sociale. Në fakt këtu duhet të bëjmë një korrigjim: mjerimi i shqiptarëve nuk është kudo njësoj e nuk ka infektuar të gjithë pjesët shoqërisë. Më mirë mund të flas për qytetin tim dhe kryeqytetin e pjesës tjetër, Tironën.

Në qytetin tim që varfërinë ta kesh përpara duhet të kalosh disa struktura urbane, disa stacione të rëndësishme, duhet të kalosh disa unaza sa gjeografike aq edhe sociale e të drejtohesh drejt periferisë, larg qendrës plot lartësi e begati ndërtesash të betonta. Madje edhe vetë ata, katandisësit në këtë farë forme, i vizitojnë një herë në 2 vjet, se pamjet e varfra të prishin imazhin për bukuritë e jetës. Këtej, nga periferitë sociale të kryeqytetit të shqiptarëve, më të pasurit e të varfërve mundohen të shtyjnë muajin me 15 000 lekë. Prandaj e falënderojnë çdo ditë sponsorin e përgjithshëm të këtij program social, politikën dhe nënproduktet e saj që mbushin Parlamentin sa herë i duhen rrogat.

Nga ana tjetër këta njerëz nuk reagojnë, por duket sikur e dashurojnë varfërinë. Kjo është edhe situatë e habitshme. Pse nuk reagojnë këto njerëz kundër këtyre unazave që i bëjnë të rrinë larg e më larg qendrës së gravitetit politiko-ekonomiko-socialo-edukativo-etj-etj-etj., por rrinë të qetë e të shtrënguar fort me varfërinë? Të duket vetja ndonjëherë edhe i sikletosur pasi duket sikur po mendon për hallet dhe problemet e njerëzve që ndoshta janë mazokistë, ose as që i bëhet vonë për hallet e veta por vegjetojnë ditën pa e ditur nëse do ketë natë, për ditë tjetër as që bëhet fjalë që të shkojë mendimi.

Një tjetër pikturë sociale shfaqet këto kohët e fundit në qendrën e lakmuar me plot institucione, pushtetarë, makina disa-milionëshe, lartësi betoni, dyqane plot drita, njerëz të zbukuruar me veshje të shtrenjta, klube joshëse dhe njerëz të bukur. Këtu, brenda unazës së parë të mirëqenies, njerëzit mblidhen, bërtasin dhe tregojnë forcën e tyre edhe nëpërmjet dhunës, të paktën një herë në javë. Këta janë njerëz jo dhe aq të bukur, në fakt, duket që nuk kanë shumë lidhje me unazën e parë të mirëqenies. Nuk janë aspak më të mirëparaqitshëm se ata të periferisë së qytetit tim. Janë veshur me rrobat më të mira që kanë, si në dasmë, dhe kanë larë kokën. Këta të sapozbritur nga autobusët sulen me vrap që të zënë një vend të parë në lëvizjen e turmës masive. Këta njerëz janë aktivë, janë mbrojtës të demokracisë, janë viktimat e politikave të keq-bëra, janë të vjedhurit, janë ato që do ta bënin më mirë vendin (edhe për periferikët dhe ato të tjerët që nuk duan t’ia dinë), janë shpëtimtarët, janë ata që duhet të falënderojmë pasi të ketë dalë dielli, janë protestuesit e lirisë së munguar… e çfarë nuk janë tjetër. Gjithë të mirat janë.

Ku ndryshojnë këto engjëjt, intelektualët luftëtarë të bulevardit, me banorët periferikë të bulevardit që nuk përfshihen në këtë mbushje rrugësh?

Këta luftëtarë tëe lirisë dhe demokracisë janë më larg gjeografikisht se periferiksit e qytetit tim. Një pjesë e madhe as që e kishin parë më parë bulevardin, për të mos folur nëse e dinin se ku bien institucionet karshi të cilave kanë mbledhur gjithë këtë mllef. Këta popullues periodik të rrugëve të qytetit dhe njëkohësisht bllokues të qarkullimit të jetës qytetare janë gjithashtu dhe hallexhinj, më shumë se ato që pinë kafen te sheshi periferik i qytetit tim duke i parë në televizion. Këta njerëz të mjerë duhet të marrin autobusët që me mëngjes, të numërohen si viçat para se t’i vihet vula në të pasme, të skedohen kur të zbresin e të luftojnë fort që t’i kapin kamerat. Duke treguar që janë agresivë dhe të mërzitur jo vetëm që do t’i kenë bërë një shërbim të madh kombit, por edhe vetes. Shefi që i vulosi të pasmet dhe i skedoi kur zbritën, do t’i shikojë në televizor dhe pasi të kenë hedhur maskarenjtë nga kolltukët qeveritarë do t’u krijojë një mundësi që të kenë një stol aty afër shefit që do të ulet në kolltukun bosh tashmë.

Nga ana tjetër atij periferikut duket sikur nuk i plas fare e pasmja për kolltukë, për gjithë këto ndryshime të rëndësishme në demokracinë e vendit. Atë e mban puna e vet e përditshme, ato ditë që ka punë. Pi kafen i qetë dhe i varfër, nuk merret fare me gjithë këtë përleshje pas kolltukësh. Periferiksi e ka bërë edhe më parë detyrën e vet si qytetar atëherë kur demokracia numëroi vitin zero për shtetin tonë. E çfarë fitoi? Asgjë më shumë se të tjerët. Është prapë atje tek bota e tij e varfër e nuk u përfshi në këtë përplasjen e titanëve politikë. Po ta mendosh mirë ai nuk është përfshirë aq shumë as kur duheshin shtuar radhët për përleshjen e fundit elektorale të këtyre prijësve luftarakë që i vijnë rrotull me turne dhe turma, kolltukut të gjithëpushtetshëm. Nuk ka asnjë interes të drejtpërdrejtë që ta tërheqë përsëri zvarre nëpër rrugët e qytetit te tij, ta bëjë të kalojë të gjitha unazat e në fund ta bëjë që t’i bashkohet atyre që qytetin e tij e kanë kryeqytet. S’ka asnjë motivim për këtë sipërmarrje. Edhe më parë kur e ka bërë asgjë nuk ka ndryshuar. Në vend të njërit ka ardhur tjetri dhe në të vërtetë sistemi nuk ka ndryshuar por vetëm përsërit veten një herë në disa vjet.

Nuk është hera e parë dhe nuk duket se do të jetë e fundit që rrugët e kryeqytetit të popullsisë periodike të bulevardit dhe rrugët e qytetit të periferiksit do të bëhen arenë masakrash politike për një kolltuk pushteti. Nuk ishte hera e parë dhe nuk duket se do të jetë hera e fundit që të vulosurit në të pasme nëpër autobusë apo të tjerët të vulosur nga brenda institucioneve përreth bulevardit të dëshmorëve të përdorur do të ndeshen me njëri-tjetrin për të kurorëzuar fitues prijësin e tyre.

Ndoshta kjo do të jetë hera e fundit që periferiksit dhe ata që këto ndryshime, në emër të popullit e për të mirë të popullit, nuk i prekin fare do të shkojnë të mbajnë radhë për të hedhur votën e për t’i dhuruar njërës palë karrigen me plot përfitime të Shtetit.

Ky do të ishte edhe fillimi i varfërimit total që me sa duket po arrihet.

* Marrë nga e përditshmja “Koha Jonë”

KOMENTE