English

Berisha: Në janarin e puçit, eksportet u rritën me 64 %

Tiranë, 7 shkurt 2011, NOA – Kryetari i Partisë Demokratike dhe Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar sot muajin janar të këtij viti si muajin e sukseseve të papërmbajtshme në eksportet e vendit, të cilat në krahasim me janarin e vitit 2010 kanë një rritje prej 64 përqind. Shefi i mazhorancës iu referua të premtes së zezë të 21 janarit kur opozita inskenoi puçin për të marrë pushtetin me dhunë, porse sikundër deklaroi kryeministri përtej puçit doganat shqiptare këtë janar kanë realizuar 12 përqind më shumë se në janarin e vitit të shkuar. Duke folur në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, shefi i mazhorancës theksoi se këtë janar që solli teatrin më të shëmtuar të puçit të udhëhequr nga Edi Rama, i cili sipas kryeministrit ëndërronte të merrte mandatin e dytë, ekonomia shqiptare vazhdoi të rritej.

“Këtë janar doganat shqiptare realizuan 12 përqind më shumë se në janarin e vitit të kaluar; eksportet shqiptare kanë një rritje të papërmbajtshme, pasi krahasuar me janarin e kaluar janë 64 përqind më shumë”, tha kryeministri Berisha.

Ai bëri me dije se krahasuar me janarin e vitit të kaluar që në total ka qenë 9.4 miliard lekë, këtë janar eksportet janë 19.6 miliard lekë. Sipas Kryeministrit eksportet përbëjnë zhvillimet më pozitive për ekonominë shqiptare, pasi janë pikërisht produktet Made in Albania që kanë tejkaluar produktet me mallra të importuara.

Në këtë kontekst të zhvillimit të ekonomisë në vend, shefi i ekzekutivit informoi se vazhdon të rritet me ritme të shpejta punësimi në vend, që njeh rritje sipas tij për shkak të prodhimit në vend.

Kryeministri Berisha nënvizoi sakaq se rritja e prodhimit në vend do të mundësojë këtë vit nisjen e ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan, për ndërtimin e të cilës, sikundër premtoi ai do të përzgjidhet pikërisht ajo kompani që do ta përfundojë autostradën në 18 muaj.

“Kjo rritje e prodhimit, e eksporteve dhe e të ardhurave mundësoi plotësisht zbatimin e përpiktë të programit të kësaj qeverie, mundëson fillimin e menjëhershëm të projekteve të mëdha infrastrukturore, para së gjithash të autostradës Tiranë-Elbasan, për të cilën 26 kompani të mëdha kanë dhënë projektet e tyre. Prej tyre janë përzgjedhur 12 që plotësojnë të gjitha kushtet. Prej tyre në një afat të shkurtër kohor do të shpallet kompania fituese, e cila me kushtin e ndërtimit të 18 muaj”, siguroi Kryeministri Berisha.

Sipas tij buxheti i shtetit garanton rritjen e rrogave dhe pensioneve në Shqipëri, sa i përket arsimtarëve, mjekëve, punonjësve të administratës.

“Garanton rritjen e premtuar të pensioneve, pra garanton rritje të ndjeshme tëtë ardhurave personale për 800 mijë familje shqiptare. Buxheti mbështet plotësisht reformat në ekonomi dhe në këtë janar reformat tona janë reformat e suksesit”, premtoi shefi i qeverisë. Vijon..

mit/NOA

KOMENTE