Tiranë, 7 shkurt 2011, NOA – Kur gjatë tërë kësaj periudhe të pas ngjarjeve të 21 janarit Kryeprokurorja Ina Rama u shënjestrua nga mazhoranca si një nga aktoret e puçit të shtetit të udhëhequr nga lidershipi i opozitës, Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot se qeveria do të bashkëpunojë me organin e akuzës në vend për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit dhe vrasjeve të katër demonstruesve pranë godinës së kryeministrisë. “Pas ardhjes së prokurorit të SHBA-ve, qeveria ka vendosur bashkëpunim total me Prokurorinë e Përgjithshme. Qeveria është dhe mbetet për një hetim të pavarur, të paanshëm”, deklaroi Kryeministri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Gjatë fjalës së tij shefi i mazhorancës theksoi se nuk do të tolerohet asnjë pengesë për zbardhjen e 21 janarit.
“Jemi të interesuar për një hetim të plotë e të gjithanshëm të rrethanave në të cilën humbën jetën katër qytetarët. Nga erdhi plumbi, kush i vrau, cila është dora e zezë që i ekzekutoi. Këto duhet të sqarohen një për një dhe duhet të keni besimin e plotë në përcaktimin e qeverisë, e cila është për hetim të plotë”, nënvizoi Kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit këmbënguli edhe njëherë në faktin se qeveria e tij është tërësisht e përcaktuar për një hetim të plotë e të gjithanshëm të 21 janarit.
Ai u premtoi familjarëve se qeveria e tij do të bëjë çdo gjë për zbardhjen e vrasjeve.
Në këtë kontekst ai akuzoi rishtas opozitën dhe lidershipin e saj se ishte pikërisht ajo që solli demonstruesit dhe i yshti ata të kryenin akte dhune.
Kryeministri Berisha akuzoi lidershipin e opozitës dhe përfaqësues pranë tij se po bëjnë çmos për të penguar hetimin e pavarur dhe të paanshëm, duke e argumentuar këtë pengesë me fabrikimin dita ditës nëpër mediat që mbështesin opozitën të fakteve të reja.
“Dua t’u informoj se shokët e shoqet e bulevardit po bëjnë gjithçka që të pengojnë hetimin e ngjarjeve të 21 janarit duke e njohur atë si ngjarja në bulevard, dhe jo si puç për marrjen e pushtetit me dhunë. Çdo ditë për të sabotuar këtë proces shokët e shoqet e bulevardit botojnë në media dokumente të fabrikuara”, ritheksoi Kryeministri Berisha.
Ai garantoi sakaq se pengesat ndaj hetimit nuk do të tolerohen, dhe askush nuk mund ta parandalojë zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit.
Në këtë kontekst Kryeministri Berisha riftoi qytetarët të kontribuojnë në hetimin e ngjarjeve duke sjellë përballë prokurorëve dokumente dhe prova.
“Është në interesin tonë zbardhja e këtyre ngjarjeve që synonte të këpuste në mes demokracinë e këtij vendi”, tha shefi i qeverisë.
Ai bëri me dije se “Puçistët kishin vetëm një qëllim të përmbysnin pushtetin e kësaj mazhorance dhe të mos bënin zgjedhje”, tha kryeministri, duke shprehur bindjen se shqiptarët besojnë tek vota e lirë.
Kryetari i demokratëve duke iu referuar mbledhjes së djeshme të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike u bëri rishtas thirrje deputetëve të tij demokratë të angazhohen totalisht në zonat e tyre elektorale për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 8 majit, me synimin sikundër tha ai të realizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.
“Grupet e punës të nisin menjëherë punën për përgatitjen e tyre”, apeloi Kryeministri Berisha.
mit/NOA