English

Berisha-Topi, kulisat e anulimit të ceremonisë

Ky lajm është pjesë e paketës së shërbimeve për abonentët. Nëse doni të pajiseni me një emër përdoruesi dhe fjalëkalim që të përfitoni lajmet ekskluzive dhe shërbimet e tjera të Agjencisë NOA, dërgoni një kërkesë tek pr@noa.al

Tiranë, 7 Shkurt 2011 NOA / Ervin Tirana – Akuzat e shefit të qeverisë për puç shteti që u hodhën në mënyrë të drejtpërdrejtë tek kryetari i shtetit, po lënë gjurmë të thella në marrëdhëniet mes tyre.

Kryeministri nuk do të jetë bashkë me Presidentin nesër në Rinas për të pritur forcat tona paqeruajtëse që vijnë nga Kandahari. Për më tepër, kjo ceremoni e paralajmëruar prej ditësh dhe shtyrë dy herë, as që do të zhvillohet atje.

Nesër në mëngjes në orën 07.00, në aeroportin “Nënë Tereza”, në bazën e Forcës Ajrore), ishte planifikuar nga Ministria e Mbrojtjes të bëhej ceremonia e pritjes së trupave të Kontigjentit Paqeruajtës, “Eagle 1”, i cili kreu për 6 muaj, misionin e tij në Kandahar të Afganistanit.

“Për të pritur këtë kontigjent do të jenë të pranishëm Presidenti i Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Prof. Dr. Bamir Topi, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, z. Arben Imami, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral major Maksim Malaj, ministra, deputet, atashe të akredituar në Tiranë, familjarë të paqeruajtësve etj.”, - u tha në njoftimet zyrtare të dikasterit të Mbrojtjes.

Por ky lajmërim nuk e pati të gjatë. Pasditen e sotme, mediave u erdhi një kundërlajm zyrtar: “Ceremonia e ditës së martë, datë 08 shkurt 2011, për pritjen e trupave të kontigjentit Paqeruajtës “Eagle 1”, planifikuar në aeroportin “Nënë Tereza”, do të zhvendoset për t’u zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë në orën 10:00”.

Por ky anulim nuk është kaq i thjeshtë. Në të vërtetë, duke u zhvilluar në Kryeministri, ceremonia praktikisht është e dështuar në formën që ishte planifikuar.

Kjo sepse presidenti, si kryetar i shtetit, sipas protokollit nuk mund të shkojë në godinën qeveritare e cila është e rangut më të ulët në hierarkinë e lartë shtetërore.

Në të vërtetë deri më sot nuk ka ndodhur që Presidenti të shkojë në selinë e Qeverisë.

Sakaq, nuk është e qartë nëse në ceremoni do të marrë pjesë kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, por protokolli edhe për atë parashikon të njëjtat kufizime.

Në këto kushte, ceremonia mbetet të ketë për protagonistë vetëm kryeministrin dhe ministrin e Mbrojtjes, por jo Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Këto zhvillime, vijnë pak ditë pasi mes kryetarit të shtetit dhe atij të qeverisë ka nisur të thellohet shumë hendeku, aq sa Berisha e akuzoi drejtpërdrejt Topin si organizator dhe realizues të një puçi shteti për të sjellë përmes dhunës dhe grushtit të shtetit, opozitën në pushtet.

Berisha nuk kurseu me akuzat e tij as Prokuroren e Përgjithshme dhe as kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror duke thënë se kjo treshe drejtuese ishte bashkëpunim për puç shteti.

Në këtë mënyrë, kriza institucionale thellohet edhe më shumë pasi krerët e institucioneve nuk bien dakord as edhe që të jenë së bashku në një ceremoni zyrtare edhe kur bëhet fjala për një ceremoni patriotike.

Në të vërtetë, nesër kthehen trupat e Kontigjentit Paqeruajtës, “Eagle 1”, i cili kreu për 6 muaj, misionin e tij në Kandahar të Afganistanit.

I nisur që në muajin korrik të vitit 2010, (dt. 28 korrik 2010) ky kontigjent, për herë të parë në historinë e Forcave të Armatosura, kreu një nga misionet më të vështira e më të rrezikshme në 8 vitet që FA japin kontributin e tyre në favor të lirisë dhe paqes kudo në botë. 44 oficerë, nënoficerë dhe ushtarë profesionist, efektivë të Batalionit Special të Forcave Tokësore, shërbyen në këtë mision në operacione luftimi, përkrah forcave speciale amerikane që veprojnë në Afganistan, në kuadër të operacionit ISAF, duke përbërë një hop të ri cilësor në shkallën e pjesëmarrjes së trupave tona në operacionet paqeruajtëse.

e.t/NOA

KOMENTE