English

“Facebook” dhe “revolucioni” në Mesdhe

Revolucioni i gjelbër iranian kishte një martire me emrin Neda, 26-vjeçarja që u qëllua me snajper në kokë, ndërsa kishte dalë në protestë kundër zgjedhjeve të vjedhura presidenciale në verën e vitit 2009.

Në Tunizi, martiri që e “ndezi” revolucionin e kishte emrin Mohamed Bouiazizi, një diplomat i papunë, që nuk mund ta duronte më peshën e varfërisë dhe poshtërimit nga një pushtet autokrat dhe çnjerëzor. Ndërsa për Egjiptin martiri është Khaled Said. Said është një biznesmen i ri nga Aleksandria, i cili, sipas njoftimeve, u rrah për vdekje nga policia lokale gjatë verës që shkoi, shumë përpara se në vend të plasnin protestat që po rrëzojnë qeverinë e Mubarakut nga pushteti 30-vjeçar.

Por faqja e “Facebook”-ut, që mban emrin e tij, është shndërruar në një nga forcat lëvizëse dhe energjike që kanë vënë në lëvizje gjithë lëvizjen masive që ka nisur javës e kaluar. Faqja anonime e “Facebook”-ut, administratori i së cilës njihet vetëm me emrin ElShaheed, që në shqip do të thotë Martir, ka luajtur një rol kyç në organizimin e demonstratave, që kryesisht janë zhvilluar në kryeqytetin e vendit, Egjipt. Ato janë më të mëdhatë me të cilat po përballet pushteti që prej vitit 1970, të cilat po kërcënojnë themelet e një regjimi autokratik dhe gjakpirës. E megjithatë edhe aktivistët më të zellshëm të kësaj lëvizjeje nuk e kanë idenë se kush fshihet pas kësaj faqeje që ka bërë një organizim të jashtëzakonshëm të protestuesve.

Esraa Abdel Fatah, që mban nofkën “vajza e Facebook”, kur organizoi në vitin 2008 një grevë kombëtare, ka deklaruar se ajo dhe aktivistë të tjerë janë në kontakt të vazhdueshëm me faqen misterioze me emrin Martiri dhe kanë bashkëpunuar me të për të organizuar dhe nxitur protestat. Megjithatë as ajo, as bashkëpunëtorët e saj nuk e dinë identitetin e personit, personave, organizatës, apo forcave që qëndrojnë pas Martirit. “Askush nuk e di se cilët janë ata”, thotë vajza guximtare. Sipas një aktivisti veteran, kjo është shumë e rëndësishme, sepse njerëzit e besojnë këtë faqe dhe njoftimet që vijnë prej saj. “ElShaheed është një i vdekur, rreth të cilit të gjithë janë duke u grumbulluar”, thotë një aktivist i protestave në Shtetet e Bashkuara, që është në lidhje të vazhdueshme me situatën në Egjipt. “Po kush ndodhet pas këtij emri? Kjo nuk është një përgjigje që mund të nisë me një ‘ai’, apo ‘ajo’, sepse në të vërtetë identiteti nuk ka dasi gjinore, nuk ka një emër të vetëm, nuk ka një lidership, është një ide dhe një forcë vepruese”.

Deri më tani ky sajt ka refuzuar që të japë edhe detajin më të vogël për identitetin e atyre që qëndrojnë pas tij. Megjithatë përmes mesazheve të shkëmbyera mes sajtit dhe anëtarëve të tij është arritur që të kuptohet diçka në lidhje me të dhe një ndër këto detaje është frika që deri diku kanë ata me ngjarjet që po ndodhin. Në një komunikim Martiri është shprehur se ka marrë shumë masa që të vazhdojë të qëndrojë në gjendjen e anonimatit, por megjithatë e ndien frikën. Faqja e ElShaheed mban moton e saj: “Ne të gjithë jemi Khaled Said”. Ajo e nisi veprimtarinë e saj si një fushatë kundër torturës dhe brutalitetit të ushtruar nga policia egjiptiane ndaj kundërshtarëve të regjimit dhe në mbrojtje të të gjithë njerëzve që nuk duhet të pësojnë tortura të tilla, për shkak të mendimeve që shprehin.

Por këtë muaj, menjëherë pas protestave që shpërthyen në Tunizi, ajo u shndërrua nga një faqe e antidhunës në një faqe dhe faktor jashtëzakonisht thelbësor e të rëndësishëm të organizimit të protestave dhe demonstratave në Egjipt. Sapo në Tunizi ra nga pushteti Presidenti i vendit, i cili kishte 23 vjet në krye të tij, Ben Ali, dhe pasi doli në pah akti i vetëdjegies së tunizianit fatkeq që e ndezi protestën, sajti u shfaq me një njoftim, në të cilin lajmërohej dita e protestës së madhe në Egjipt: 25 janari. Në shtëpinë e tij në Kajro, Wael Khalil, një aktivist i demokracisë që nga viti 2004, e pa njoftimin dhe mendoi se revolucionet nuk mund të ndodhnin me njoftime në “Facebook” dhe se ato nuk mund të kishin një orë, apo ditë të paracaktuar. Të paktën e tillë ishte tradita e deriatëhershme e lëvizjeve dhe demonstratave të mëdha.

Në një mesazh të lëshuar nga sajti disa ditë para protestës së parë në Egjipt, thuhej se ajo çka ndodhi në Tunizi u dha njerëzve shumë shpresë dhe kjo duhej shfrytëzuar nga aktivistët, të cilët në këtë moment duhej të luanin një rol të vërtetë lideri. Në këtë sajt thuhej se egjiptianët në shumicën e tyre e kishin humbur këtë shpresë kohë më parë dhe më në fund njerëzit kishin filluar që t’u kushtonin vëmendje aktivistëve me shpresën se përmes protestave dhe kërkimit të të drejtave mund t’i dilet mbanë. Në atë moment kjo faqe e “Facebook”-ut kishte 375 mijë ndjekës. Fuqia e “Facebook”-ut është se njoftimet arrijnë “muret” e të gjithëve. Disa nga videot e publikuara janë parë nga dhjetëra e qindra mijëra vetë duke i ndërgjegjësuar e i bërë më të fortë dhe më të përgatitur e të organizuar për të kërkuar të drejtat e tyre të ligjshme. “Facebook” përhap gjithçka në një kohë reale si një “virus”, që me të lançuar shkon kudo. Ai është tashmë i pandalshëm. Megjithatë ElShaheed ka qenë shumë i kujdesshëm edhe për sa i përket teprimit të përdorimit dhe të investimit në mjetet që të ofron media sociale. Nëse ajo do të kishte vazhduar vetëm me thirrje për protesta, vëmendja dhe interesimi i njerëzve për të do të kishte rënë. Për të mbajtur të zgjuar vëmendjen e njerëzve ajo është shndërruar në një faqe interaktive, në të cilën kërkohen këshilla për vazhdimin e mëtejshëm të protestave, për fazat e tjera të tyre, bëhen konsulta dhe debate me fansat dhe jepen informacione që më pas gjithashtu debatohen dhe diskutohen gjerësisht. Është një faqe ku mund të shfaqësh mendimin tënd dhe ku mund të marrësh përgjigje për pyetje dhe të debatosh për gjëra që të shqetësojnë, apo të krijojnë probleme.

Në të ka edhe sondazhe, që në mënyrë të vazhdueshme të përditësojnë me mendimet e individëve, apo shtresave të ndryshme për çështjet e ndryshme. “Roli im është që të motivoj njerëzit, t’i informoj, t’i inkurajoj dhe jo vetëm t’u raportoj”, thotë sajti. “Kjo mënyrë më mban me shpresë se më në fund në shesh do të dalin mjaftueshëm njerëz që ta shndërrojnë këtë lëvizje në një lëvizje të pandalshme, që të arrijë objektivin e saj fillestar, atë të përmbysjes së pushtetit aktual të Mubarakut. Për këtë qëllim, ElShaheed është koordinuar edhe me aktivistë në terren, të tillë si Khalil, i cili menjëherë është bërë një nga mbështetësit më të zellshëm të sajtit. Për vite me radhë grupe të tilla si Lëvizja Studentore e 6 Prillit dhe pasuesit e saj kanë krijuar një rrjet, duke organizuar logjistikën dhe duke ndihmuar ligjërisht të arrestuarit për lirinë e mendimeve, të cilët mund të përfundonin keq në duart e policisë nëse nuk do të kishin pasur mbrojtjen e duhur ligjore. Këta grupe kanë gjithashtu ndjekësit e tyre në “Facebook” e “Twitter” dhe në ditët që u paraprinë protestave arritën që të nxirrnin mijëra veta në rrugë. Në faqen e “Facebook”-ut, ElShaheed u është shmangur shprehjeve politike dhe fetare që mund të krijonin kundërshti, apo dasi në grupe të ndryshme të popullsisë me përkatësi të ndryshme politike dhe fetare.

Ai nuk ka përdorur kurrë tone ideologjike, duke synuar që të futet në mendjet e zemrat e njerëzve dhe jo duke u bërë thirrje përkatësive të tyre, që në fakt janë bazat e dasive dhe të përçarjes. Sipas Khalil, zëri i këtij sajti nuk është ai i një sajti që i flet popullit, por i një sajti që flet me popullin. Si rezultat i kësaj pune, në protesta njerëzit nuk dolën me parulla politike në mbështetje të asaj, apo kësaj force politike, por dolën me flamurin kombëtar, dhe burrat e gratë, të varfrit e të pasurit, të krishterët e myslimanët befas u shndërruan në një turmë të vetme dhe të unifikuar me një qëllim të vetëm

NOA

KOMENTE