Rama, në vend që të shfrytëzonte dështimet e qeverisë së qendrës së djathtë për ta sulmuar në planin moral, ka preferuar t'u dedikohet sfidave të brendshme dhe eliminimit të rivalëve të vetë në kampin socialist
Nga Cecilia Tosi
Përleshjet në sheshin e Tiranës të bëjnë të mendosh për "revolucionin" tunizian. Por në vendin e shqiponjave, revolta ka një lider, socialistin Rama, ndërsa kryeministri Berisha nuk ka ndërmend t'ia mbathë, duke ia lënë pushtetin opozitës.
Revolucionet e kadifenjta mund të dështojnë, por nuk dalin kurrë nga moda. Pas suksesit të tunizianëve, e provojnë edhe shqiptarët: ndërkohë kauza është për të rrëzuar një regjim të korruptuar, por në Tiranë nuk është një parti e bashkuar dhe manifestuesit kanë një lider që quhet Edi Rama, kryebashkiaku socialist i kryeqytetit, dhe kandidati i mundur në zgjedhjet e fundit. Në protestat në shesh kryeministri Berisha u përgjigj me grusht të hekurt: tre të vdekur, shtatë të hetuar, asnjë përgjegjës.
Gjatë manifestimeve, agjentët kanë qëlluar dhe vrarë, por policia refuzon t'i arrestojë. Dhe qeveria akuzon Partinë Socialiste për grusht shteti, duke ngritur një komision hetimor për të nxjerrë në dritë faktet e 21 janarit.
Ndërsa parlamentarët përleshen, Rama dhe Berisha lajmërojnë manifestime të reja, por dyshimi është se përgatiten për t'u transferuar në një betejë në një fushë tjetër, aty ku pushteti ndahet më mirë: në tryezën e bisedimeve. Sepse në Shqipëri lojërat e pushtetit janë normë dhe këto protesta nuk vijnë "nga poshtë" si në vendet e Maghreb (vende si Tunizia, Egjipti, apo Algjeria-shënimi i redaksisë).
Megjithatë socialistët po provojnë të gjithë mënyrat për të bërë analogjinë: "Jemi në një diktaturë të vërtetë. Dukemi tamam si Tunizia e Ballkanit",-deklaron Saimir Tahiri, nënkryetar i grupit parlamentar të PS-së. Duke shpresuar që të fitojnë mbështetjen ndërkombëtare për të përzënë Berishën, një kryeministër që luan me duart me tenxheren e demagogjisë.
Popullariteti i tij është në rënie të lirë, sidomos nga momenti kur ministri i Ekonomisë Ilir Meta, u detyrua të japë dorëheqjen për shkak se një telekamerë e fshehtë e kapi ndërsa bënte tratativa për të firmosur një marrëveshje që i garantonte përfitime.
Pra, është ajo që të gjithë shqiptarët e dinë ajo që doli në televizion, por Berisha ka theksuar se bëhet fjalë për një komplot, se duan të njollosin imazhin e tij, se kanë falsifikuar xhirimet. Një pikë që ka nxjerrë nga shtrati Tiranën.
Revoltat e sheshit në Shqipëri kanë lënë vend për paralelizëm si në Tunizi, por ka të paktën diferenca të rëndësishme.
E para: opozita është e drejtuar nga një parti, e cila ka qenë në pushtet dhe aspiron të rikthehet.
E dyta: kryeministri Berisha nuk ka ndërmend t'ia mbathë në Xhedah (qytet në Arabinë Saudite, ku kërkoi strehim ish-presidenti i Tunizisë, Ben Ali-shënimi i redaksisë), sepse ka mësuar që të mos trembet si në 1997-ën, kur përleshjet e lindura për ta rrëzuar nga pushteti ishin aq të dhunshme, saqë u desh ndërhyrja e NATO-s për t'i qetësuar.
Edi Rama, nga ana e vet, nuk ka ndërmend të lëvizë. Është një kryebashkiak, që gëzon një reputacion prej ylli mes shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë, që në 2009-ën mendoi ta mundë Berishën, por në të vërtetë humbi. Prej atëherë brenda Partisë Socialiste, "shokët" e tij janë ende në pritje të llogaridhënies.
Të ndarë dhe grindavecë, eksponentët e opozitës janë shfaqur para zgjedhësve gjithnjë e më të brishtë dhe gjithnjë e më pak të interesuar për të mirën e vendit. I njëjti Rama, në vend që të shfrytëzonte dështimet e qeverisë së qendrës së djathtë për ta sulmuar në planin moral, ka preferuar t'u dedikohet sfidave të brendshme dhe eliminimit të rivalëve të vetë në kampin socialist. Ndoshta të vdekurit në Tiranë do ta bëjnë të ndërrojë ide.
* Marrë nga “Express”