English

Kristofer Dell: Një koalicion i qëndrueshëm, nuk varet thjesht nga numrat

Uashington, 7 shkurt, NOA - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë thotë se sfidat kryesore të qeverisë së re do të jenë forcimi i shtetit ligjor dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Kristofer Dell thotë se një koalicion i qëndrueshëm nuk varet thjesht nga numrat, por nga synimi për një qeverisje të mirë si edhe thekson gjithashtu mbështetjen amerikane për EULEX-in përsa i takon hetimeve për raportin Marti. Ambasadori Dell tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol konstruktiv dhe të dobishëm në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ambasador Dell, pas më pak se dy javësh, Kosova do të festojë përvjetorin e pavarësisë. Ku është vendi tre vjet pas shpalljes së pavarësisë?

Është një nga ato raste kur të duhet të vendosësh nëse gota është gjysmë plot, ose gjysmë e zbrazët. Pa dyshim që Kosova ka shënuar shumë arritje gjatë tri viteve të fundit, ka shumë arsye për të qenë krenare: Ka mbajtur zgjedhje lokale dhe kombëtare; ka ngritur institucionet; plotësoi detyrimin e kompletimit të paketës së ligjeve të parashikuara në planin Ahtisaari; është njohur nga 75 vende. Po ashtu shohim një përparim të jashtëzakonshëm në drejtim të rindërtimit të infrastrukturës së re në vend.

Por njëkohësisht ne të gjithë e dimë se ka shumë sfida përpara: finalizimi i planit Ahtisari, tejkalimi i fazës së pavarësisë së mbikqyrur, si edhe forcimi dhe thellimi i kornizës kushtetuese dhe veçanërisht dy sfidat me të cilat përballet Kosova, të cilat paraqesin me të vërtetë një rrezik për funksionalitetin e saj do të jenë: forcimi i shtetit ligjor, realizimi i një sistemi drejtësie funksional tek i cili njerëzit të kenë besim, që të trajtojë këto njëlloj para ligjit, që gjithkush të ketë një qasje të barabartë tek drejtësia dhe askush të mos jetë mbi ligjin. Po ashtu duhet një ekonomi që të rritet me hapa të shpejtë, që të krijojë vende pune, të rrisë të ardhurat dhe të ndihmojë njerëzit të realizojnë ëndrrat e tyre. Nëse papunësia mbetet në nivelin e tanishëm 75 për qind, rreziku për Kosovën mbetet i lartë. Pra, ky mendoj se ky është programi për qeverinë e ardhshme: përqendrimi tek rritja ekonomike e mbështetur tek zhvillimi i tregut dhe forcimi i institucioneve të sektorit të drejtësisë.

Ju keni folur shpesh për mangësitë në sistemin e drejtësisë, si edhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. A keni vënë re ndryshime?

Absolutisht po. Pavarësisht se ne flasim shpesh për mangësitë, kjo është diçka e vështirë. Për 500-600 vjet, paratë fitoheshin më shumë jashtë strukturës ligjore, si kur ishte nën shtetin jugosllav, ashtu edhe në kohën e Perandorisë Otomane. Këto janë zakone apo sjellje të rrënjosura thellë, kështu që ne e dimë se do të duhet kohë për të krijuar kulturën e respektimit të ligjit. Megjithatë, gjatë vitit të kaluar u shënua përparim i madh për rishikimin e kodit penal, për miratimin e ligjit për këshillin gjyqësor, të këshillit të prokurorëve, përfshirja e gjykatësve dhe prokurorëve që i plotësojnë standardet etike, që tani janë në trupat e gjyqtarëve dhe po bëjnë hetime. Kemi gjithashtu nëntë gjykata të reja. Mendoj se përsa i takon strukturës zyrtare të sistemit ligjor, bazat janë vënë. Tani sfida është që të krijohet një qasje e barabartë për këdo si edhe përgjegjësi e barabartë para këtyre organeve, përfshirë të pasurit dhe të fuqishmit.

Ju keni inkurajuar kryeministrin Hashim Thaçi, që të mos përfshijë në qeverinë e re persona që janë nën hetime. Por njëkohësisht një kryeministër mund të ndjehet i detyruar që të marrë vendime duke pasur parasysh mbështetjen e shprehur me vota nga elektorati. Si mendoni se mund të përputhen të dyja këto kërkesa?

Në parlament janë zgjedhur 120 anëtarë, dhe mbi 61 syresh do të jenë pjesë e shumicës që do të formojë qeverinë e re. Me siguri që ka hapësirë mes këtyre individëve të gjenden njerëz, që jo vetëm janë të papërlyer por janë gjithashtu edhe të zotë dhe të përkushtuar për një qeveri efektive. Thjesht se je zgjedhur në parlament nuk do të thotë që duhet të kesh post të lartë në qeveri. E drejta e elektoratit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre është e pamohueshme, por pastaj duhet të shohim edhe se cilat janë cilësitë që e bëjnë një individ më shumë sesa një deputet, që e bëjnë të plotësojë kushtet për të pasur një post më të lartë.

Në Kosovë kanë filluar bisedimet për qeverinë e re. Duket se arritja e shumicës së nevojshme prej 61 votash është një sfidë. Sa qëndrueshmëri politike mendoni se do të krijojë koalicioni i nevojshëm për qeverisje?

Sigurisht që sfida është të gjendet një shumicë funksionale në parlament. Unë mendoj se – sigurisht nëse Presidenti do t’i japë mandatin e formimit të qeverisë PDK-së, si partia më e madhe – ata (PDK-ja) janë fare pranë votave të mjaftueshme për të qenë në gjendje të formojnë një qeveri. Pyetja që shtrohet pastaj është se çfarë do ta bënte të qëndrueshme këtë qeveri: është vetëm numri i votave që kanë në parlament, apo fakti që po punojnë për të zgjidhur problemet e vendit, po arrijnë rezultate dhe rikthejnë besimin e popullit tek institucionet, rigjallërimin e legjitimitetit të Kosovës në sytë e popullit të vet. Besoj se kjo është pyetja kyçe që duhet shtruar. Mendoj se shumë shpesh njerëzit përqendrohen vetëm tek numrat në Kosovë, tek fakti se kush do të përfshihet e kush do të mbetet jashtë, si mund të sigurojmë 61 vota, a kanë 61 vota të mjaftueshme apo na duhen 70. Të gjitha këto janë pyetje të rëndësishme, por nuk janë të vetmet. Unë mendoj se qeveria që duan të shohin njerëzit nuk ka thjesht shumicën, por është e përkushtuar për një program të qartë dhe arrin rezultate. Mendoj se kjo krijon një qeveri të qëndrueshme. Kur njerëzit janë të kënaqur me arritjet e qeverisë, atëherë qofshin 61 vota, apo 80, ajo qeveri do të jetë në gjendje të çojë mandatin e saj deri në fund. Pra përveç negociatave mes partive, pra cila parti merr cilin pozicion dhe si ta ndajnë pushtetin mes tyre duhet të ketë një mirëkuptim në thelbin e koalicionit, për atë që duan të realizojnë dhe sesi do ta realizojnë. Pra nuk është thjesht politikë rutinë, por politikë me një synim.

Pra ju po thoni që megjithëse partitë që do të formojnë qeverinë mund të mos jenë gjithmonë në një linjë, ato duhet të marrin një vendim të përgjegjshëm për të çuar deri në fund angazhimin për të qeverisur vendin?

Kur ata të diskutojnë se kush do të jetë në koalicion, do të dalë nevoja të flitet edhe për çështjen se kush do të marrë përgjegjësinë për secilën ministri. Do të jetë e nevojshme të diskutohet gjithashtu se çfarë do të kërkohet të arrihet, cila do të jetë platforma - nëse përdorim këtë term politik amerikan - si do të veprohet për të krijuar vende pune, si mund të krijohet më tepër hapësirë për nismat private për të zhvilluar vendin, si do të vendoset sundimi i ligjit. Këto dhe pyetje të tjera do të duhet të jenë pjesë e diskutimit që do të çojë në koalicionin e ri. Unë shpresoj se ata do të jenë në gjendje të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe marrëveshje mes palëve për ecjen e vendit përpara.

Si e shikoni rolin e opozitës për ta shtyrë vendin përpara duke qenë një opozitë konstruktive?

Disa njerëz thonë se nëse ke një opozitë të fortë, kjo është diçka e keqe sepse qeveria nuk do të ishte e qëndrueshme. Mendoj se e kundërta është e vërtetë. Nga përvoja ime në shumë vende të botës, qeveritë më të mira janë ato që përballen me një opozitë të fortë në parlament, sepse kjo i detyron partitë qeverisëse të jenë më të mira, duke e marrë seriozisht parlamentin, i bën ato të përpiqen të fitojnë mbështetjen e parlamentit, të marrin parasysh pikëpamjet e të tjerëve. Ai që qeveris me një opozitë të fortë, qeveris më mirë. Pra mendoj se do të ishte diçka e shëndetshme për Kosovën fakti që qeverisë do t’i duhet të punojë më nga afër me parlamentin se sa në të kaluarën. Ky do të ishte një mjet tjetër për të zgjeruar konsensusin rreth vendimeve që merren.

Le të flasim për raportin Dik Marti. Reagimi në Kosovë ishte indinjatë dhe zemërim. Por pavarësisht se si do të zhvillohen gjërat, imazhi i Kosovës është dëmtuar, pas akuzave kundër udhëhesve të UÇK-së në këtë raport. Ka patur një sugjerim nga OSBE-ja për të ngritur një organ tjetër, përveç EULEX-it që të hetonte akuzat. Cili është qëndrimi amerikan për këtë çështje?

Ne besojmë se EULEX-i është institucioni i duhur për kryerjen e këtij hetimi. Ai ka një mandat për hetime lidhur me krime lufte. EULEX-i e ka bërë këtë me sukses në të kaluarën, e ka bërë këtë në Shqipëri me lejen e qeverisë shqiptare për hetimin e disa prej këtyre akuzave dhe rasteve të tjera. Jam plotësisht dakord me atë që thatë se, sado fyese që t’u duken njerëzve këto akuza për vendin e tyre, e vetmja mënyrë për t’i sqaruar gjërat është me anë të hetimit për të gjetur të vërtetën. Kjo, ose do t’i hidhte poshtë akuzat një herë e përgjithmonë, ose, nëse gjenden prova, personat përgjegjës do të nxirreshin para drejtësisë. Por, mungesa e një hetimi bën që këto akuza të mbeten. Mendoj se ky është një rast që kësaj çështjeje t’i shkohet deri në fund një herë e mirë.

Pas formimit të qeverisë priten bisedime për çështje teknike mes Serbisë dhe Kosovës. Cili do të jetë roli që mund të luajnë Shtetet e Bashkuara në këto bisedime?

Ne do të mbështesim plotësisht Bashkimin Evropian në lehtësimin e dialogut mes dy vendeve. Ne jemi miq me të gjitha palët, Bashkimin Evropian, Serbinë dhe Kosovën. Ne besojmë se mund të luajmë një rol shumë të dobishëm, konstruktiv dhe mbështetës për një proces që do të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian. Le të mos harrojmë se ky dialog nuk ka lidhje vetëm me zgjidhjen e çështjeve të mbetura mes Serbisë dhe Kosovës. Ai synon gjithashtu të ndihmojë dy vendet të ecin drejt perspektivës së tyre evropiane. Prandaj është e logjikshme që ai të drejtohet nga Bashkimi Evropian. Por natyrisht, si një palë në rajon, që ka luajtur rol të rëndësishëm për një kohë të gjatë dhe ka bërë një investim të rëndësishëm atje, Shtetet e Bashkuara janë më se të gatshme të bëjnë ç’të munden për ta mbështetur këtë proces dhe për të ndihmuar që ai të çohet përpara.

Si do të përkthehej kjo në terma praktike? A do të ketë një të dërguar amerikan? A do të ketë një formulë për këto bisedime ku Shtetet e Bashkuara të jenë palë?

Kjo është diçka në evoluim e sipër. Vonesat që sollën zgjedhjet e paparashikuara në Kosovë u kanë dhënë njerëzve kohë të mendojmë më shumë rreth kësaj, por ende nuk kemi arritur deri aty sa të kemi një formulë përfundimtare, prandaj është e parakohshme që unë të flas për çështje të tilla si të dërguar apo se si do të organizohet procesi.

Me siguri që çështja e veriut të Kosovës do të shtrohet në këto diskutime, që duket se është çështja më e vështirë mes Serbisë dhe Kosovës. A shpresoni që nga këto bisedime të arrihet diçka lidhur me të ardhmen e pjesës veriore?

Ne e kemi thënë shumë qartë. Së pari, veriu është dhe do të mbetet pjesë e Kosovës. Në të njëjtën kohë ne e kuptojmë se kjo pjesë është e ndryshme në disa aspekte nga pjesa tjetër e Kosovës, pasi ajo ka një shumicë serbe. Shpresoj se dialogu do të çojë në zgjidhje krijuese, të tilla që, duke e mbajtur veriun si pjesë të Kosovës, të krijohen kushte që t’i lejojnë qytetarët serbë të Kosovës që banojnë atje, të bëjnë jetën që dëshirojnë, të flasin gjuhën e tyre, të praktikojnë fenë e tyre, pra të gjejmë një barazpeshë mes ruajtjes së strukturës së shtetit të Kosovës e në të njëjtën kohë t’u japim atyre njerëzve hapësirën e duhur për të jetuar mbi bazën e asaj që zgjedhin vetë. Mendoj se dialogu mund të ndihmojë që kjo të arrihet, duke parashtruar problemet dhe duke gjetur zgjidhje për disa nga këto çështje praktike që ju përmendët, pra që të respektohet integriteti territorial i Kosovës dhe njëkohësisht të mbahet parasysh fakti që qytetarët e atjeshën janë shumicë serbe e jo shqiptare.

VOA

KOMENTE