Përkujtohet 30 vjetori i tragjedisë së Fekenit ku humbën jetën 11 ushtarakë të FA. Përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura vendosin kurora me lule mbi obeliskun e kujtesës
Tiranë, 7 shkurt 2011 NOA - Është përkujtuar sot në një ceremoni solemne, 30 vjetori i tragjedisë më të rëndë për ushtrinë shqiptare e cila ka tronditur jo pak, Ministrinë e Mbrojtjes së asaj kohe, por edhe mbarë opinionin publik.
Tragjedia e Fekenit! Kështu është regjistruar në kujtesën e ushtarakëve ngjarja e rëndë e 6 shkurtit të vitit 1981, e po kështu njihet edhe në ditët e sotme.
Gjatë një stërvitjeje dimërore në Malin me Gropa, vetëm pak kilometra larg qendrës së kryeqytetit, 11 pedagogë dhe studentë ushtarakë, u goditën nga një masë e madhe orteku me dëborë, duke gjetur në këtë mënyrë vdekjen e menjëhershme.
Ndonëse kanë kaluar 30 vjet, 6 shkurti i vitit 1981 ka mbetur gjatë në memorien e çdo ushtaraku të asaj kohe, por edhe për breza më pas, si një nga ditët më fatkeqe për 11 studentët ushtarë që ranë në krye të detyrës, teksa ishin duke kryer një nga demonstrimet e shumta të asaj periudhe në terrene të thyera e kushte të vështira.
Ceremonia përkujtimore me rastin e 30 vjetorit të kësaj tragjedie u zhvillua në ambientet e Komandës së Doktrinave dhe Stërvitjes (KDS) vendi ku edhe është ngritur një memorial në nder të të rënëve, sot Dëshmorë të Atdheut.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral major Maksim Malaj, zv. shefi i Shtabit, k/admiral Kristaq Gerveni, gjeneralë të FA, të afërm dhe familjarë të të rënëve, si dhe të ftuar të tjerë.
Fjalën e rastit e mbajti komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Agim Lala, i cili u shpreh: “gjatë viteve, ne kaluam shumë furtuna dhe beteja por më e madhe mbeti ajo në agimet e profesionit tonë, ku ne u nisëm në atë luftë të ashpër me natyrën dhe vazhdojmë edhe gjatë ditëve të sotme. Ne së bashku me bashkëmoshatarët tuaj, kemi 30 vite që punojmë në çdo skaj të Atdheut tonë, por kurrë nuk ju kemi harruar. Keni mbetur të gjallë në mendjet dhe zemrat tona, ashtu siç ishit të qeshur, të dashur dhe energjik. Sot pas 30 vitesh ju kujtojmë aq pranë dhe aq gjallë, si atë ditë të çmendur të shkurtit të vitit 1981. Ne vazhdojmë t’ju kujtojmë me respekt e mirënjohje, pasi ju sakrifikuat jetën tuaj për të na shpëtuar ne. Kaluan shumë breza në këtë shkollë, por vetëm ju mbetët pedagogët dhe studentët e përjetshëm”, nënvizoi ndër të tjera gjeneral brigade Agim Lala, ndërsa kërkoi nga të pranishmit të mbahej një minutë heshtje në nder të 11 viktimave të Fekenit.
Më pas fjalën e rastit e mori shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral major Maksim Malaj, i cili nënvizoi: “Fjala ime sot, nuk është vetëm një mesazh i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA në nderim dhe respekt të thellë për sakrificën dhe jetën e tyre, por edhe një mesazh dhe respekt që unë dua të përcjell si bashkëmoshatar me ata djem që humbën jetën në moshën më të bukur, në kohën kur të gjithë ne kishim filluar të thurnim ëndrra për të ardhmen tonë. Sot, 3 dekada më vonë, ne të gjithë përulemi me respektin dhe dhimbjen më të thellë përpara gjakut, guximit dhe sakrificës së pedagogëve të paharruar dhe të miqve e kolegëve tanë studentë. Në këtë ditë përkujtimore dëshiroj gjithashtu të përshëndes dhe të falënderoj të gjithë ushtarakët që me guximin dhe vetëmohimin e treguar në ato momente të vështira, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në përballimin e asaj fatkeqësie”.
Më tej shefi i Shtabit të Përgjithshëm Malaj, duke iu drejtuar të pranishmëve theksoi: “6 shkurti i vitit 1981 do të mbesë në memorien e Forcave të Armatosura jo vetëm si dita ku ne të gjithë humbëm kolegët, shokët dhe pjesëtarët tanë më të afërt, por edhe si dita kur të gjithë ushtarakët treguan me vepra se solidariteti dha sakrifica ishin rrënjosur si vlera të sjelljes së ushtarakut shqiptar. Nderim dhe respekt gjakut dhe veprës së dëshmorëve të Fekenit”, përfundoi gjeneral major Malaj.
Në përfundim të kësaj ceremonie u transmetua një dokumentar televiziv që pasqyronte momente nga tragjedia e 6 shkurtit. Më pas ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami dhe përfaqësues të tjerë të MM dhe FA, të pranishëm në ceremoni, vendosën kurora me lule pranë memorialit të ngritur për nder të të rënëve të tragjedisë së Fekenit.
Historia
Ishte mëngjesi i 6 shkurtit i vitit 1981. Me 12 toga, që kishin në përbërjen e tyre 204 studentë, efektivat e Forcave të Armatosura do të përpunonin ngjitjen malore me elementë të alpinizmit, në një terren të thyer dhe me trashësi të madhe bore. Nisja ishte e zakonshme, si në të gjitha ditët e tjera. Befas teksa kolonat po arrinin në majën e malit Fekinit, një masiv i madh dëbore rrëshqiti me një shpejtësi të jashtëzakonshme nën këmbët e studentëve. Ishte një goditje e beftë dhe e fuqishme, që ushtoi me një gjëmim shurdhues dhe rrëmbeu me vete sa hap e mbyll sytë gati gjysmën e kolonës. Për pak sekonda një pjesë e studentëve humbën nën trashësinë e dëborës. Shokët e tjerë shkuan për të ndihmuar të dëmtuarit dhe për të kërkuar trupat e shokëve nën rrënojat e dëborës, ndërsa mali i madh i dëborës rrëshqiste me shpejtësinë e rrufesë shpatit të thepisur. Brenda pak kohësh një ortek i dytë, më i fuqishëm se i pari ra nga mali duke zënë përfund çfarë të gjente përpara. Tragjedia shkaktoi në këtë mënyrë 11 viktima si dhe gjymtoi mbi gjashtëdhjetë të tjerë, dy prej të cilëve ishin Përparim Veliu nga Saranda dhe Luan Muça nga Peshkopia, që mbetën të paralizuar. Dëshmorë të Atdheut Dushan Shametaj -komandant batalioni Çlirim Pulaj -oficer shtabi Nikollaq Bero -pedagog Besnik Shehu -student Ilir Gramatikoi -student Bujar Ago -student Aleko Gjoni -student Qemal Lika -student Bilbil Pashai -student Nexhip Çoba -student Pëllumb Rrapo -student