English

Lezhë, i jepet lamtumira e fundit Aleks Nikaj

Lezhë, 7 shkurt 2011, NOA – Një ditë pas mbërritjes së trupit të pajetë në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit sot pas mesditës familjarë dhe krerë të opozitës i kanë dhënë lamtumirën e fundit, 35-vjeçarit Aleks Nikaj, demonstruesit të katërt të qëlluar me armë në demonstratën e 21 janarit, i cili pas plagosjes me plumb në kokë nuk mundi dot t’i bashkohet i gjallë familjes së tij. Në homazhet dhe funeralin e Aleks Nikaj, i plagosur dy javë më parë përpara godinës së qeverisë morën pjesë familjarë dhe përfaqësues të opozitës, mes të cilëve edhe lidershipi i Partisë Socialiste Edi Rama.

35-vjeçari baba i dy vajzave të vogla, njëra 3 vjeç dhe tjetër vetëm një muajshe, e cila nuk mundi dot as ta njohë atin e saj, u varros në fshatin e tij të lindjes në Grykë-Manati në Lezhë.

Trupi i pajetë i Aleks Nikaj u soll në atdhe të djelën në orën 14.00 pas dërgimit të tij në një spital në Stamboll për të kryer një ndërhyrje të specializuar në kokë, pasi plumi me të cilin ishte goditur Nikaj i kishte shkatërruar pjesën jetike duke e bërë që ai pas 21 janarit të hynte në vdekje klinike dhe pas plot dy javësh të mbyllte sytë përjetë në spitalin e Bakërkëj të Stambollit, pa i shpëtuar dot vdekjes.

Nikaj u prit dje në aeroportin e Rinasit nga një kortezh me të afërm e përfaqësues të opozitës të cilët bënë homazhe të shkurtra pranë aeroportit, ndërkohë që më pas trupi i Nikaj u dërgua drejt vendlindjes së tij Lezhë, ku familjarët e tij e vajtuan sipas riteve mortore.

Aleks Nikaj nga Lezha është demonstruesi i katërt i vrarë në 21 janar, bashkë me Ziver Veizin nga Gjirokastra, Hekuran Dedën nga Dibra dhe Faik Myrton nga Fieri.

Të afërmit e tij i kanë kërkuar sot drejtësisë zbardhjen e vrasjes së familjarit të tyre, pasi sikundër thanë ata Aleks Nikaj po demonstronte paqësisht në demonstratën e 21 janarit duke kërkuar një jetë më të mirë.

Sikundër thanë familjarët Aleks Nikaj ishte kthyer nga emigrimi dy muaj më parë, pasi kishte mbetur i papunë.

mit/NOA

KOMENTE