Prezenca e OSBE-së nis diskutimet për një program të ri masteri në mbështetje të shërbimeve sociale në sistemin e drejtësisë
Tiranë, 7 shkurt 2011 – Zhvillimi i një programi të ri të avancuar ndërdisiplinor studimesh me synimin për të përmirësuar standardet e shërbimeve sociale në përgjithësi dhe atyre të ofruara nga sistemi i drejtësisë në veçanti do të jetë tema e diskutimeve në një tryezë të rrumbullakët që do të organizohet të hënën nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Programi master në Administrimin e Institucioneve Sociale në Sistemin e Drejtësisë, i cili do të ofrohet nga Universiteti i Tiranës duke filluar nga viti akademik 2011-2012, pritet të përmbushë nevojën e institucioneve shqiptare për të shkolluar dhe trajnuar profesionistë të tanishëm dhe të ardhshëm, si dhe vullnetarët që punojnë me autorët e veprave penale në sistemin e drejtësisë penale.
Nevoja për një përgatitje të tillë profesionale doli pas themelimit të Shërbimit Kombëtar të Provës. Programi i studimeve u drejtohet personelit të shërbimit të provës, punëtorëve socialë, psikologëve, mësuesve, sociologëve, nëpunësve të administratës publike, avokatëve, gjyqtarëve dhe personelit të administratës së burgjeve.
Pjesëmarrësit në tryezën e rrumbullakët përfshijnë përfaqësues të ministrive dhe të institucioneve të tjera shtetërore, përfaqësues nga gjyqësori, institucionet ndërkombëtare, si dhe nga organizatat e shoqërisë civile. Diskutimet do të drejtohen nga Matthias Zander, zyrtar i lartë ligjor pranë Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, Arben Sefgjini.
Zyra e OSBE në Shqipëri tha se gazetarët janë të ftuar të ndjekin veprimtarinë, të hënën, më 7 shkurt, në orën 10.00, në “Tirana International Hotel”, salla Abret.
e.t/NOA