English

Parlament, miratohen dy projektligje të rëndësishme

Tiranë, 7 Shkurt, 2011 NOA - Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi sot dy projektligje të rëndësishme, përkatësisht shtesën në ligjin “Për aderimin në konventën “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave” si dhe një projektligj ekonomik.

Ky i fundit, është drafti ligjor “Për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë së eksportit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Unicredit Banka Austria, për financimin e përmirësimit të Departamentit të Neurokirurgjisë për Spitalin Universitar “Nenë Tereza””.

Lidhur me projektligjin e parë, “Për aderimin në konventën “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave””, shtohet neni 2, i cili përcakton pranimin nga Republika e Shqipërisë ndryshimin e nenit 20, paragrafi 1, i konventës sipas të cilit Komiteti për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave (Komiteti CEDAW) duhet të mblidhet normalisht çdo vit, me qëllim shqyrtimin e raporteve të paraqitura në përputhje me nenin 18, të kësaj konvente.”

Në vijim komisioni shqyrtoi dhe miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë së eksportit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Unicredit Banka Austria, i cili parashikon financimin e përmirësimit të Departamentit të Neurokirurgjisë për Spitalin Universitar “Nenë Tereza”.

Ndërkohë që Komisioni i Ligjeve vijon shqyrtimin nen për nen të projektligjit “Për të drejtën e kalimit në pronë të shtetit dhe private, për ndërtimin e rrjetit të komunikimeve elektronike”.

e.t/NOA

KOMENTE