Tiranë, 7 shkurt, NOA - Kryetar i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”, Rrapo Danushi, kërkon nga ambasadorët e BE dhe SHBA në Tiranë që të ndikojnë tek klasa politike për zgjidhjen e çështjes së pronës. Në një letër të hapur dërguar ambasadorit të SHBA-së, Aleksandër Arvizu, atij të OSBE, Eugen Volfath dhe atij të BE, Etore Seqit, Danushi kërkon që presioni ndërkombëtar mbi këtë çështje të jet më i madh. Ai thekson se nëse situata vazhdon në këto ritme do të ketë krime të tjera për pronën.
“Çfarë duhet bërë kur më shumë se 3000 krime që janë shkaktuar pas 1991 për shkak të anarkisë së pronës dhe ankesat tona për pronën vazhdojnë të lihen në heshtje. Deklaratat për integrim të Shqipërisë në BE, nuk janë reale kur nga të gjitha qeveritë prej 1991 e deri sot nuk ka pasur dëshirë për të respektuar të drejtën e pronësisë”, shprehet Danushi në letrën e tij.
Duke akuzuar kryeministrin Sali Berisha dhe paraardhësin e tij Fatos Nano, Danushi shprehet se qeveritë kanë grabitur pronat e qytetarëve.
“Sali Berisha, së bashku me ish kryeministrin Fatos Nano dhe klikat e tyre prej 20 vjetësh kanë miratuar ligje me të cilat ne të shpronësuarit nga diktatura vazhdojmë të mbetemi të shpronësuar, duke u ricikluar nëpër zyra dhe gjykata. Pronat tona të trashëguara nga brezat, që diktatura i shtetëzoi, pas vitit 1991 Shteti, në vend që t’ja kthejë të zotit, ato së bashku me pronat që ligjërisht i përkasin shtetit u përvetësuan dhe vazhdojnë të përvetësohen nga politikanët”, shkruan Danushi.
Sipas tij këtu është thelbi i korrupsionit dhe i konfliktit të ashpër midis klaneve të politikës. Ai shpreh dhe rezerva për punën e ambasadorëve të mëparshëm të BE dhe SHBA.
“Me keqardhje ankohemi për ambasadorët e mëparshëm të SHBA z. Uilliam E. Ryerson dhe John Uithers II, por dhe për ambasadorë të tjerë si ai i OSBE Osmo Lipponen, i B.E. Helmuth Lohan, ambasadorët e Bankës Botërore të FMN etj, që me qëndrimet e tyre indiferente ndaj ankesave tona për shkeljen sistematike të të drejtës së pronës, kanë bërë që në Shqipëri korrupsioni për pronat të zhvillohet pa pengesa në nivel institucional”, shkruan Danushi në letrën e tij.
Ai shton se “në kushtet aktuale, ku dominon korrupsioni dhe kleptokracia e vetmja mundësi për ta kuruar situatën dhe për ta futur Shqipërinë në rrugën e demokracisë, është kushtëzimi ndërkombëtar, duke vendosur si kusht paraprak, për shtetin detyrim për të kthyer me ligj pronën e grabitur tek i zoti, duke përcaktuar dhe afat kohor për këtë veprim”. Sipas tij nëse prona do vazhdojë të trajtohet si problem i brendshëm, qytetarët do vazhdojnë të vriten me njëri tjetrin për konflikte pronësie.
a.k.NOA