Tiranë, 7 shkurt 2011, NOA – Ndërkohë që në orën 15.00 është lajmëruar mbledhja e tryezës së opozitës së bashkuar për një dëgjesë me ish-ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti, njëherësh protagonisti i videos së përgjuar Meta-Prifti, selia rozë ka akuzuar Kryetarin e LSI-së Ilir Meta se ishte pikërisht videoja Meta-Prifti që shkaktoi zemërimin popullor dhe shpërthimin e të premtes së zezë të 21 janarit ku u vranë katër demonstrues. Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Megi Ajtyresa deklaroi në një konferencë për shtyp se “Ishte videoja e tij e turpshme, ku shqiptarët panë me zë e me figurë korrupsionin e matrapazllëkun e pushtetit të Ilirit e Saliut, që shkaktoi atë zemërim popullor që shpërtheu në të premten e zezë. Prandaj sot Ilir Meta duhet të gjejë kurajën të zhduket nga jeta politike, të dorëzohet tek drejtësia e të vuajë deri në pikën e fundit ndëshkimin që u rezervon ligji, por dhe opinioni publik, hajdutëve me bllok në dorë si puna e tij”, tha Ajtyresa.
Ajo e cilësoi qesharak transformimin e Ilir Metës, nga një ish-kampion i anti-Berishizmit në një mini-Sali dhe shërbëtor i bindur dhe i zellshëm i regjimit në pushtet.
“Është e trishtueshme ta mendosh që Ilir Meta mashtroi 80 000 shqiptarë se do të rrëzonte Sali Berishën dhe pastaj si një renegat e shiti besimin e tyre për një copë pushtet. Korrupsioni dhe vjedhja me bllok në dorë ishin çmimi i Ilir Metës i cili sot është shndërruar në shëmbëlltyrën më të qartë të llumit e plehut që sundon mbi shqiptarët”, theksoi Ajtyresa, duke i bërë me dije Ilir Metës, se nuk duhet aspak ta gënjejë mendja se me korrupsion e vjedhje me bllok në dorë të mund të fitojë në zgjedhjet elektorale.
Ajtyresa sqaroi se falë videos që e nxori zbuluar si hajdut, karriera politike e Ilir Metës tashmë ka mbaruar.
“Ilir Meta duhet ta kuptojë se tanimë karriera e tij politike ka mbaruar jo vetëm sepse i madh e i vogël e panë se ç’hajdut me bllok në dorë ishte në të vërtetë kreu i ndjesë pastë Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe pse Ilir Meta mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për jetët e humbura dhe për të plagosurit e 21 janarit”, nënvizoi anëtarja e Asamblesë së PS-së, Megi Ajtyresa.
mit/NOA