Tiranë, 7 shkurt 2011, NOA – Selia rozë ka akuzuar sot Kryeministrin e vendit Sali Berisha se ka kapur sistemin e drejtësisë dhe se përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën 26 qytetarë të pafajshëm është ai dhe i biri i tij, Shkëlzen Berisha, të cilët janë bashkëpunëtorë të ngushtë të tre të pandehurve. Këto akuza të Partisë Socialiste erdhën pas vendimit që mori Gjykata e Tiranës për lirimin nga burgu të tre të pandehurve të gjyqit të Gërdecit, Mihal delijorgjit, Sokol Ngjecit dhe Ylli Pinarit, me argumentin se ishin tejkaluar afatet e burgimit të tyre.
Në një konferencë për shtyp nga selia rozë, deputeti Taulant Balla deklaroi se kryeministri Berisha po i bën presion sistemit të drejtësisë me qëllimin që të zvarritet zbardhja e tragjedisë së Gërdecit.
“Ministri i drejtësisë qëndron me gojën mbyllur deri sa e sorollat këtë çështje deri në këtë pikë. Përgjegjësia e Gërdecit është tek kryeministri dhe djali i tij, tek ministrat që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në detyrë”, tha deputeti socialist.
Deputeti Balla duke iu referuar vendimit të gjykatës ritheksoi se “Sot u provua lidhja e drejtpërdrejtë e Sali Berishës dhe djalit të tij me të akuzuarit e Gërdecit. U provua se ku po zhytet drejtësia dhe korrupsioni mbi të”.
Sipas Ballës vendimi i gjykatës dëshmon dështimin e drejtësisë për vënien para përgjegjësisë të atyre që sollën vrasjen e 26 vetëve.
Balla theksoi se “Gërdeci dëshmon se nuk mund të ketë drejtësi në një vend ku qeveris padrejtësia”.
Deputeti socialist tha se vetëm largimi i matrapazëve të pushtetit është e vetmja rrugë për vendosjen e shtetit ligjor në vend.
mit/NOA