English

Rama: Saliu hedh vrer dhe baltë mbi opozitën

Tiranë, 7 shkurt, NOA – “As sot, në ditëvarrimin e viktimës së katërt të dorës së shtetit, Saliu, i pari i Koalicioni të Turpit, nuk rreshti së sulmuari opozitën dhe së bëri presion mbi prokurorinë e mbi shtypin e panënshtruar ndaj tij”.

Kjo ka qenë deklarata e kryetarit të PS-së, Edi Rama, pas varrimit të Aleks Nikajt, viktimës së katërt të shënuar në tragjedinë e 21 Janarit.

“Sot i dhamë lamtumirën të katërtit shqiptar të pafajshëm, që humbi jetën në demonstratën e popullit opozitar kundër pushtetit që vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë”, tha Rama.

Duke shtuar se ndërkohë, kryeministri “edhe sot, vijoi të shfryjë baltë e vrer mbi opozitën, prokurorinë e shtypin. Madje shkoi aq larg, sa jo vetëm iu rikthye akuzës kriminale të natës së parë se vrasjet e 21 janarit i bëri opozita, po edhe 26 të vrarët e Gërdecit i’a faturoi opozitës përmes njëri prej zëdhënësve të tij”.

“Sot Saliu na ritregoi sesa e drejtë është kërkesa jonë për largimin e këtij Koalicioni të Turpit, sesa e drejtë është beteja jonë për t’i hapur rrugë një zgjidhjeve të re për Shqipërinë e marrë peng me votat e vjedhura dhe të vjedhur përditë në pasuritë, në shpresat e në ëndrrat e veta”, theksoi Rama.

Duke përfunduar se opozita nuk do të ndalet në betejën e saj për liri e të drejta të panegociueshme dhe kërkesën për largimin e kësaj qeverie.

n.e/NOA

KOMENTE