Mitrovicë, 7 shkurt, NOA - Një 14-vjeçar nga qyteti i Vushtrrisë është rrahur në mënyrë brutale nga disa të rinj në veri të Mitrovicës. Ai është shtruar për trajtim mjekësor në Prishtinë.
Ergin Novolani, gjatë këtij sulmi ka pësuar frakturë në këmbën e majtë si dhe ka përjetuar trauma. Mjeku kujdestar thotë se gjendja e tij shëndetësore është e mirë, porse duhet një intervenim kirurgjik, raportojnë mediat kosovare.
Ngjarja ka ndodhur derisa Ergini, bashkë me 3 shokë të tjerë nga Vushtrria janë nisur për në Mitrovicë dhe kur kanë kaluar urën mbi lumin Ibër, janë ndjekur nga një grup të rinjsh serbë.
Tre nga të rinjtë kanë arritur të iknin, kurse Ergini nuk ia ka dalë. Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Zëdhënësi Besim Hoti citohet të ketë thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 13:00 të ditës së shtunë në rrugën “Mbreti Petër” në veri të Mitrovicës. Rasti i këtij sulmi fizik, shënon rastin e dytë të kësaj natyre brenda javës, pasi që një grup prej katër personave të përkatësisë etnike shqiptare, ishin sulmuar ditën e premte, më 4 shkurt 2011.
Dy persona patën pësuar lëndime trupore nga sulmi fizik i regjistruar rreth orës 15:20min, po në rrugën “Mbreti Petër” në veri të Mitrovicës. Ergin Novolanin sot në QKUK e ka vizituar kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili është interesuar drejtpërdrejti për shëndetin e tij. Kastrati, me këtë rast ka fajësuar Policinë e Kosovës dhe atë të EULEX-it për neglizhencë në intervenim në këtë rast. Ai tha se “meqenëse ngjarja ka ndodhur në qendër të Mitrovicës, e jo në ndonjë rrugë anësore, ka pasur mundësi reale për të intervenuar qoftë policia e Kosovës, qoftë e EULEX-it për ta parandaluar këtë rast të dhunës së rëndë”.
a.k.NOA