Shkup, 7 shkurt, NOA - Në Maqedoni sot mbahet takimi i liderëve të partive parlamentare të organizuar nga presidenti Gjorgje Ivanov për tejkalimin e krizës politike.
Në takimin ku do të marrë pjesë kryeparlamentari Trajko Veljanovski pritet të marrin pjesë të gjithë liderët e partive politike parlamentare, përveç kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili refuzoi tryezën e thirrur nga presidenti Ivanov, me arsyetimin se bëhet fjalë për dialog manipulativ.
Të gjitha forcat politike të opozitës që do të jenë pjesëmarrëse gjatë fundjavës kanë shprehur kërkesat dhe kushtet e tyre për tejkalimin e krizës politike dhe rikthimin e tyre në Parlament, pas bojkotit që ka hyrë në javën e dytë.
Opozita maqedonase e udhëhequr nga LSDM kërkoi disa kushte për fillimin e dialogut dhe rikthimin e saj në Parlament: si janë krijimi i kushteve për funksionimin normal të të gjitha mediave, sidomos televizioni A1 dhe mediat tjera të afërta me opozitën; ndryshimet e kodit zgjedhor, reforma në sistemin e gjyqësorit dhe kushte tjera, që më pas vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Demokracia e Re (DR) e Imer Selmanit dje parashtroi kushtet e saj lidhur me dialogun politik: revidimin dhe ndryshimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë, aplikimin e Badenterit në Gjykatën Kushtetuese, Këshillin gjyqësor si dhe në miratimin e buxhetit shteëror, etj, por edhe kushte të tjera.
Partitë në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI kanë bërë të ditur se pas takimit të liderëve do të japin vlerësimet e tyre lidhur me kërkesat e partive opozitare.
Bashkësia ndërkombëtare ka vazhduar thirrjet për rikthimin e opozitës në Parlament dhe hapjen e dialogut politik midis të gjithë palëve politike në Maqedoni.
NOA/INA