Gjirokastër, 7 Shkurt 2011 NOA - Regjisorja e njohur e filmave për fëmijë, Xhanfise Keko, u nderua dje me titullin "Nderi i Gjirokastrës", (pas vdekjes), nga Bashkia e Gjirokastrës, vendi i lindjes, me motivacionin "Për kontribut të shquar në zhvillimin e kinematografisë dhe kulturës shqiptare".
Me këtë rast, në sallën e Kinemasë së Re të Gjirokastrës, u organizua ceremonia e dorëzimit të këtij titulli familjarëve të saj. Flamur Bime, kryetari i bashkisë, teksa i dorëzoi djalit të saj, Ilir Keko, titullin e akorduar nga bashkia e qytetit, u shpreh se Xhanfise Keko është mbretëresha e filmit shqiptar për fëmijë dhe se krijimtaria e saj artistike është pjesë e fondit të artë të kinematografisë.
"Gjirokastra, qytet i mençurisë, nuk mund të mos kishte në gjirin e saj edhe një ikonë, siç është regjisorja Xhanfise Keko", tha Bime, ndërsa nënvizoi se "Keko me filmat e saj u ka dhënë të gjithë brezave të fëmijëve krahë për fluturim".
e.r/NOA