Prishtinë, 7 shkurt, NOA - Që nga dita e sotme, kur pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 12 dhjetor të vitit të kaluar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të nisë negociatat me subjektet politike për qeverinë e re të Kosovës.
Kjo parti ka hedhur poshtë njoftimet e deritashme për shtim dikasteresh, apo për afrim me ndonjë subjekt të caktuar politik. PDK thotë se do të nisë sot ofertat për krijimin e koalicionit qeverisës, por sipas të gjitha gjasave, nuk do të ketë asnjë ftesë për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe as Vetëvendosjen.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), paraprakisht lidhi koalicion në nivel lokal me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prizren. Por, ashtu siç kanë përjashtuar veten nga të qenët në pushtet, duket se edhe PDK-ja nuk do t’u dërgojë ftesa për bisedime LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Këtë gjë e konfirmoi vetë zëdhënësi i qeverisë në largim, Memli Krasniqi. Ai hodhi poshtë njoftimet për shtim të numrit të ministrive, siç thuhej, për të kënaqur oreksin e partnerëve të koalicionit.Për PDK-në, vetëm një gjë është e qartë-kryeministër do të mbetet Hashim Thaçi. Postet të tjera, sipas Krasniqit, mbeten të negociueshme.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), që ka fituar 12 deputetë në mandatin e ri, është shprehur disa herë se me Thaçin kryeministër nuk do të hyjë në koalicion. Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i AAK-së, thotë se nëse ftohen për bisedime, AAK-ja do të propozojë kandidatin e saj për kryeministër, dhe nëse nuk bien dakord do të mbeten në opozitë.
NOA