English

“Ky është Vorioepir”, MPJ thërret ambasadorin grek

Tiranë, 8 shkurt 2011, NOA – Pas deklaratave të Konsullit grek në Korçë Theodhoros Ikonomus, i cili në ceremoninë e 20-vjetorit të themelimit të organizatës “Omonia” në Korçë deklaroi haptas si asnjëherë më parë se “Ky quhet Vorio Epir, dhe se në Korçë ekzistojnë dhe kanë ekzistuar grekët”, është mobilizuar Ministria e Punëve të Jashtme, e cila thirri sot Ambasadorin e Republikës së Greqisë në Tiranë, Nicolas Pazios për t’i kërkuar sqarime lidhur me deklaratat e Konsullit grek Theodhoros Ikonomus, të artikuluara nga ky i fundit në ceremoninë e organizuar, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të organizatës “Omonia” në qytetin e Korçës.

Përmes një njoftimi të zyrës së shtypit, Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se i bëri të qartë Ambasadorit grek, qëndrimin e saj mbi këto deklarime, duke i quajtur ato të papranueshme.

“Deklarata të tilla nuk pasqyrojnë përmbajtjen e marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe cënojnë frymën e miqësisë mes dy vendeve”, theksoi Ministria e Punëve të Jashtme. Ky reagim i MPJ-së vjen pasi Konsulli grek Theodhoros Ikonomus u bëri thirrje minoritarëve të Korçës të bashkohen në emër të Vorioepirit.

Konsulli Ikonomus u tha gjithashtu minoritarëve grekë të Korçës të mos i tremben regjistrimit të popullsisë, pasi sikundër deklaroi Ikonomus hapur, “gjyshërit tuaj janë grekë dhe beteja jonë nis me regjistrimin e popullit grek që është prezent këtu në Korçë”.

Deklaratat e Ikonomus që provokuan reagimin e PDU-së, partisë së çamëve dhe disa personalitete të jetës publike në vend erdhën pas faktit të deklamuar nga Ikonomus se Korça duhet helenizuar.

Këto deklarata pluskojnë pas debatit të hapur para pak kohësh lidhur me ngritjen e memorialit të ushtarit grek të rënë gjatë luftës italo-greke në vendin ku ndodhen varrezat e të parëve të Boboshticës në Korçë, për të cilin është nën akuzë kreu i Omonias së Korçës Naum Disho.

Megjithatë lidhur me deklaratat e fundit reagimi i PPJ-së është i pari në rang autoritetesh të larta të vendit.

mit/NOA

KOMENTE