Tiranë, 8 shkurt 2011, NOA – Ndaj deklaratave të konsullit grek Theodhoros Ikonomus ka reaguar sot edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila i ka cilësuar deklaratat se Korça është Vorioepir si edhe ndërhyrjet në deklarimin e kombësisë si ndërhyrje të dëmshme në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë shqiptaro-greke. Deputeti i LSI-së për qytetin e Gjirokastrës Vangjel Tavo në një konferencë të posaçme deklaroi se regjistrimi i popullsisë duke përfshirë edhe të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të deklaruar kombësinë e tyre është në frymën e Këshillit të Evropës dhe të Bashkimit Evropian”.
Tavo theksoi se “çdo deklaratë, çdo ndërhyrje që është në kundërshtim me këtë frymë është e dëmshme edhe për frymën e marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve tona por edhe për aspiratat e dy popujve tanë”.
Deputeti i LSI-së bëri me dije se “ruajtja, konsolidimi dhe respektimi i vlerave fondamentale si përshembull respektimi dhe garantimi i të drejtave të minoriteteve në përputhje me standardet ndërkombëtare ka qenë dhe mbetet në themel të gjithë investimit të LSI-së”.
Sipas Tavos minoritetet dhe pakicat etnike në Shqipëri janë pjesë integrale e shoqërisë shqiptare dhe vlerë e qytetërimit shqiptar e evropian.
Ai nënvizoi se në këtë kontekst minoriteti grek në Shqipëri është një kontribuues i rëndësishëm për integrimin evropian të Shqipërisë ashtu sikundër janë kontribuues të rëndësishëm të shtetit helen qytetarët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi.
“Prandaj, - tha Tavo, “çdo koment apo gjykim mbi këto kontribute apo vlera të patjetërsueshme nga pozita nacionaliste është i dëmshëm dhe bie ndesh me aspiratën evropiane të dy popujve tanë dhe dy vendeve tona anëtare të NATO-s”.
Në reagim ndaj deklaratave greqizuese të Ikonomus, dje nënkryetari i Këshilli i Lartë i Drejtësisë Kreshnik Spahiu ushtroi një kontroll të befasishëm në Gjykatën e Korcës lidhur me dosjet gjyqësore për ndryshimin e kombësisë.
Spahiu bëri me dije se “janë 192 kërkesa për ndryshimin e kombësisë të regjistruara në këto dy vite në Gjykatën e Korçës, dhe një numër edhe më i madh në gjykatën e Gjirokastrës e në gjykata të tjera.
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë kritikoi ashpër gjyqtarët e Gjykatës së Korçës për mosinterpretimin e saktë të ligjit për gjendjen civile në lidhje me ndryshimin e kombësisë, për të cilin Spahiu artikuloi shprehimisht se “ndryshimi i kombësive bëhet vetëm me vendim të formës së prerë të gjykatës dhe absolutisht nuk mund të bëhet si pasojë e një pazari politik apo e një pazari financiar, pasi ligji shprehet qartë e thjeshtë në lidhje me interpretimin”.
Sipas Spahiut “nëse një njeri ndryshon kombësinë në trungun e familjes pasojat vijnë zinxhir dhe ai shprehu shqetësimin se të gjithë trashëgimtarët mund të ndryshojnë kombësinë e tyre, duke rritur numrin dhe të rrezikojë që në mënyrë artificiale të hapë probleme serioze në regjistrimin e popullsisë.
mit/NOA