Tiranë, 8 shkurt 2011, NOA – Ndërkohë që të mërkurën në orën 20.00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” do të zhvillohet ndeshja miqësore ndërmjet ekipik kombëtar të Shqipërisë dhe Sllovenisë, Policia e kryeqytetit ka marrë një sërë masash për të garantuar mbarëvajtjen dhe zhvillimin normal të ndeshjes miqësore Shqipëri
Slloveni. Duke kërkuar respektimin e masave nga qytetarët, Drejtoria e Policisë së Tiranës në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të këtij aktiviteti sportiv ka vendosur të ndalojë parkimin e të gjitha automjeteve përreth stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” duke filluar nga ora 13.00 e ditës së nesërme deri në orën 23.00.
Ndër masat e marra vihet re se “Do të ndalohet qarkullimi dhe
parkimi i automjeteve duke filluar nga ora 15.00 të ditës së nesërme deri në përfundim të aktivitetit sportiv ne Sheshin “Italia” dhe sheshin“Nënë Tereza”; do të ndalohet
qarkullimi i automjeteve në rrugët që të dërgojnë në stadium ashtu dhe përreth
tij, si: rrugën “Lek Dukagjini”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli” dhe “Perlat Rexhepi” nga ora 15.00 deri në orën 23.00”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Uniformat blu të kryeqytetit gjithashtu bëjnë me dije se gjatë hyrjes
së sportdashësve në stadium, do të ushtrohet kontroll i imtësishëm për parandalimin e futjes në stadium nga tifozët, të sendeve të ndaluara, mjete e sende të forta, fishekzjarre, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parrulla me mbishkrime jo të
përshtatshme etj.
Në lidhje me masat e marra Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin
e publikut, duke i kujtuar sportdashësve të respektojnë me rigorozitet rregullat e vendosura dhe kodin e sjelljes.
mit/NOA