Milano, 8 Shkurt, NOA- Një histori e pazakontë ka ndodhur në Milano, ku një 66 vjeçar ka çuar macen përpara gjykatës duke e akuzuar si fajtore dhe përgjegjëse për faktin se ai nuk mund të kryejë dot marrëdhënie seksuale me gruan e tij.
Burri ka kërkuar kështu ndërhyrjen e gjykatës për të detyruar gruan të përzërë nga krevati macen. Prezenca e maces në dhomën bashkëshortore sipas burrit e ka penguar atë të kryejë marrëdhënie me gruan e tij prej katër muajsh.
Çifti është paraqitur para gjykatës dhe burri e ka përshkruar macen si një soditëse shqetësuese dhe të pakëndshme deri në atë pikë sa ai të mos jetë në gjendje të bëjë dashuri me gruan e tij.
Bashkëshortja e cila në fakt është dhe padronia e maces deklaroi se ai nuk mund të shprehë performancën e duhur në dashuri, pasi thjesht nuk arrin paqe me mendjen e tij.
Gruaja gjithashtu ka pohuar se nuk ka ndërmend të largojë macen nga dhoma e gjumit as edhe përkohësisht, pasi më shumë se pesë vjet rresht ajo është duke fjetur në shtrat me ta. Pas një diskutimi të gjatë gjykata gjeti një zgjidhje: macja duhet të qëndrojë larg nga dhoma e gjumit për tre muaj, për të vërtetuar nëse është ajo vërtet shkaku i dobësisë së papritur seksuale të burrit apo kjo është për shkak të faktorëve të tjerë. Në qoftë se në këto tre muaj nuk do të jetë vërtetuar se arsyeja për bllokimin seksual të 66 vjeçarit është kafsha atëherë macja ka të drejtë të rikthehet përsëri në dhomën e gjumit, ndërsa burri duhet ti nënshtrohet vizitave mjekësore.
"Ne kemi dëgjuar histori të çuditshme me kafshë para gjykatës, – thotë Lorenzo Croce, presidenti i AIDAA (Shoqata për mbrojtjen e kafshëve), cili e ndoqi personalisht procesin- por, kjo ishte shumë e pazakontë".
a.e./NOA