English

OSBE, akuzë të rëndë partive shqiptare

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri: Partitë politike shqiptare, po i bëjnë shpërfillje të hapur aspiratave demokratike të qytetarëve shqiptarë

Tiranë, 8 shkurt 2011 – Partitë politike shqiptare, sidomos kryesoret, PD dhe PS, bëhen gazi i botës dhe vihen në qendër të kritikave të rënda nga prezenca e OSBE në Shqipëri që i akuzon për “shpërfillje të hapur për aspiratat demokratike të qytetarëve shqiptarë”.

Ka qenë pikërisht kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, i cili sot akuzoi në mënyrë direkte partitë shqiptare, se ato po i bëjnë shpërfillje të hapur aspiratave demokratike të qytetarëve shqiptarë

Akuza e kreut të OSBE erdhi pasi sot ai doli me një mesazh para shqiptarëve duke u shprehur se ishte “jashtëzakonisht i shqetësuar në lidhje me problemet që po has aktualisht KQZ-ja”.

Wollfarth vuri në dukje se asnjë nga partitë politike nuk ka arritur të përmbushë afatin zyrtar të 24 janarit 2011 për dërgimin e propozimeve për anëtarë të komisioneve zgjedhore.

Ai përmendi se nga 66 Komisione të Zonave të Administrimit Zgjedhor, vetëm 12 prej tyre janë ngritur pjesërisht brenda afatit të 7 shkurtit 2011”.

Këtu erdhi dhe akuza nga z.Wollfarth: “Një situatë e tillë tregon një shpërfillje të hapur për aspiratat demokratike të qytetarëve shqiptarë nga partitë politike”.

Menjëherë më pas ka mbërritur dhe apeli:

“Unë u bëj thirrje partive politike të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe për ta adresuar këtë çështje në mënyrë të menjëhershme, pasi dita e zgjedhjeve po afron”.

Wollfarth u bëri thirrje partive politike t'i dorëzojnë urgjentisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) propozimet e kërkuara për anëtarë të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor me qëllim përgatitjen siç duhet të zgjedhjeve për qeverinë vendore.

Ai theksoi se në bazë të Kodit Zgjedhor dhe të dekretit të Presidentit të Republikës, KQZ-ja duhet të vazhdojë urgjentisht me të gjitha përgatitjet e nevojshme për zgjedhjet e planifikuara për 8 maj 2011.

Po ashtu, Wolfarth vuri në dukje se asnjë nga partitë politike nuk ka arritur të përmbushë afatin zyrtar të 24 janarit 2011 për dërgimin e propozimeve për anëtarë të komisioneve zgjedhore.

e.t/NOA

KOMENTE