English

Post-përmbytje, Ministria e Bujqësisë do nisë rikonstruksionin e argjinaturave

Tiranë, 8 shkurt 2011, NOA – Dy muaj pas përmbytjeve të pashembullta që pushtuan kryeqendrën e veriut, Shkodrën në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, Ministria e Bujqësisë do të nisë procedurën e prokurimit me negocim për objektet e mbrojtjes nga përmbytja dhe të kullimit në zonën e Shkodrës e të Lezhës të planifikuara në buxhetin e vitit 2011. Për nisjen e kësaj procedure e ka dhënë lejen Komisioni i Ligjeve, që miratoi sot Aktin Normativ për kryerjen e kësaj procedure.

Post-përmbytjeve të Shkodrës ku në ditët më alarmante të përmbytjeve u përllogaritën mbi 14 mijë ha tokë nën pushtetin e ujit, dikasteri i Bujqësisë ka përcaktuar përparësitë kryesore të ndërhyrjeve në këtë zonë, sa i përket rehabilitimit, rikonstruksionit dhe ndërtimit të objekteve të mbrojtjes nga përmbytja dhe kullimi.

Në përparësitë kryesore përfshihen rikonstruksioni i plotë i argjinaturës së Çasit, me gjatësi rreth 1 km, mbrojtje nga lumi Drin në Ashtë; rikonstruksioni i argjinaturës së lumit Kir; rehabilitim dhe rikonstruksion i argjinaturave në lumin Buna (gjithsej 30.2 km); argjinatura në fshatrat Shirq-Belaj (Dajç) në 13.2 km; argjinatura në Pentar-Luarzë në 7 km; argjinatura në Pulaj-Reç në 7 km; argjinatura e fshatit Daragjat-Bërdicë në 3 km.

Përfshihet gjithashtu rehabilitimi dhe rikonstruksioni i kolektorit nga Ura e Gjo Lulit deri në Vilun për rritjen e kapacitetit të përcjelljes së ujit për në det, përmes pastrimit, zgjerimit dhe thellimit të kolektorit; mbrojtje nga lumi Buna në zonën Shirq-Ura e Baçallëkut, si dhe thellimi e zgjerimi i lumit Buna në këtë segment; rikonstruksioni i kapërderdhësit të Shirqit, rehabilitimi dhe rikonstruksioni i argjinaturës së lumit Kir për mbrojtjen e qytetit të Shkodrës, rehabilitimi i infrastrukturës së kullimit në zonën e NënShkodrës si dhe rikonstruksioni i argjinaturës së urës së Torovicës në qytetin e Lezhës.

Po ashtu ky Akt Normativ “Për lejimin e MBUK të zhvillojë procedurën e prokurimit me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit, për objektet e mbrojtjes nga përmbytja dhe të kullimit në zonën e Shkodrës e të Lezhës, të planifikuara në buxhetin e vitit 2011” u miratua sot edhe nga Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat.

mit/NOA

KOMENTE