English

Prokuroria arreston gardistin që dyshohet se qëlloi mbi Ziver Veizin në 21 janar

Tiranë, 8 shkurt 2011, NOA/ Irma Toptani – Pas lëshimit të urdhër-ndalimeve për gjashtë gardistë, Prokuroria ka ekzekutuar mbrëmë urdhër-arrestin për gardistin Agim Llupo, i cili akuzohet për vrasjen e demonstruesit nga Gjirokastra Ziver Veizi. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se gardisti Llupo u arrestua me akuzën se qëlloi mbi Ziver Veizin, vrasje kjo e provuar edhe nga ekspertiza balistike.

Prokuroria bëri të ditur se ekspertiza balistike vërtetoi se demonstruesi Ziver u vra me një automatic MP 5, i përdorur në 21 janar nga gardisti Agim Llupo, i cili ndodhej në detyrë në mbrojtje të institucionit të kryeministrisë.

Agim Llupo, shefi i shtabit të njësisë speciale të Gardës se Republikës akuzohet nga Prokuroria se ka qëlluar për vdekje mbi demonstruesin Ziver Veizi, në momentin kur ky i fundit ndodhej jashtë rrethimit të godinës së kryeministrisë, një argument ky i cili përligj sipas Prokurorisë palishmërinë e aktit të kryer nga gardisti, në një moment kur demonstruesi nuk cënonte institucionin.

Arrestimi i gardistit Agim Llupo erdhi një ditë pasi vetë kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar Demokrat shprehu gatishmërinë e qeverisë për bashkëpunim total me Prokurorinë në zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit dhe hetimin e plotë të ngjarjeve që shënuan atë të premte, 18 ditë më parë gjatë demonstratës së opozitës.

Por më herët, ishte vetë kreu i mazhorancës Sali Berisha, i cili u shpreh haptazi kundër Kryeprokurores Ina Rama duke e akuzuar atë si aktore të puçit të shtetit të 21 janarit dhe bashkëpunëtore të ngushtë të udhëheqësit të këtij grushti shteti Edi Ramës, e cila me urdhër-arrestet për gjashtë gardistët synonte të dëmtonte një zinxhir drejtuesish të Gardës së Republikës.

Por, kryeministri i vendit nuk la pa përfshirë në këto akuza edhe Presidentin e republikës Bamir Topi, andaj zbardhjen e të ashtuquajturit puç të 21 janarit ai e përligji me ngritjen brenda natës së të dielës së 23 janarit të Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili sipas kryeministrit do të hetojë lidhur me puçin e shtetit, përkundër Prokurorisë që sipas shefit të qeverisë po heton “ngjarjen në boulevard”.

Duket se gatishmëria e shefit të mazhorancës për të bashkëpunuar me Prokurorinë dhe nxjerrjen e përgjegjësve të 21 janarit para ligjit argumentohet qartë me arrestimin e gardistit Agim Llupo, autor i vrasjes së demonstruesit Ziver Veizi.

Në demonstratën e 21 janarit u vranë përveç Ziver Veizit edhe Hekuran Deda, Faik Myrto e Aleks Nikaj, si dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

mit/NOA

SHIKONI VIDEON E NGJARJES:

[media id=21 width=620 height=440]

KOMENTE