English

PS: Berisha, dorëzo ministrat dhe ekzekutorët që vranë demonstruesit

Tiranë, 8 shkurt 2011, NOA – Kur kanë kaluar 18 ditë nga vrasja e katër demonstruesve pranë godinës së kryeministrisë në demonstratën e opozitës në 21 janar, Partia Socialiste i ka bërë thirrje Kryeministrit Sali Berisha të dorëzohet përpara ligjit bashkë me ata ministrat që urdhëruan vrasjen e demonstruesve. Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Saimir tahiri deklaroi se “Ndaj sot është momenti për t’i bërë thirrje Saliut të dorëzohet, ai vetë dhe bashkë me të, të gjithë ata që fshihen pas tij. Sali Berisha, dorëzo familjarët dhe qeveritarët që vodhën e vranë”.

Tahiri duke iu referuar lirimit nga burgu dhe vendimit për arrest shtëpie për tre të pandehurit e gjyqit të Gërdecit duke i bërë thirrje Kryeministrit të dorëzojë “Fatmir Mediun, Lulzim Bashën, dorëzo ekzekutorët në gardë, dorëzo sekserët dhe të gjithë ata që të kanë kapur peng ty e nëpërmjet teje, Shqipërinë e shqiptarët”, apeloi deputeti socialist.

Deputeti socialist deklaroi se fajtorët e shpërthimit të Gërdecit dhe vrasjeve të 21 janarit janë të lirë e të fshehur nga drejtësia nën mbrojtjen e Kryeministrit, që sipas opozitës është përgjegjësi kryesor për 21 janarin.

“Në Gërdec ishte ushtria, në 21 janar ishte garda, sepse mendja kriminale e kryeministrit, gjen mbrojtje vetëm pas armëve, të cilat është gati t’i përdorë dhe ndaj popullit të tij vetëm për të ruajtur karrigen e tij”, pohoi për mediat deputeti socialist.

Sipas tij Gërdeci dhe 21 janari, lindën për shkak të korrupsionit të Kryeministrit Berisha dhe familjarëve e ministrave të tij, të cilët sikundër tha Tahiri edhe pse kapen me armë fishekësh e bllok llogarish të pista në dorë janë të gjithë të mbrojtur nga aksioneri kryesor i korrupsionit sistematik në vend, Sali Berishës.

mit/NOA

KOMENTE