English

PS: Berisha sheh ëndrra me puçe imagjinare e keqpërdor FA-të

Tiranë, 8 shkurt 2011, NOA – Deputetja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha gjatë ceremonisë së pritjes së trupave komando “Eagle 1” të sapokthyera nga Afganistani, duke deklaruar se Kryeministri po keqpërdor Forcat e Armatosura duke parë në ëndrra grushte shteti imagjinare, duke nënvizuar se në krah të tij është vetë Ministri i Mbrojtjes. Në një dalje të posaçme nga selia rozë, deputetja Kodheli theksoi se “Sot pamë se si Sali Berisha e ka kthyer në normë keqpërdorimin e Forcave të Armatosura. Fatkeqësisht, gjatë çdo seance keqpërdorimi, në krah të Saliut qëndron Arben Imami, që nuk bën tjetër veçse u kujton shqiptarëve historinë e tij të vjetra me tanke dhe ushtarë”.

Deputetja socialiste e akuzoi shefin e qeverisë se pasi përdori Ministrin e Mbrojtjes për të kërcënuar me ndërhyrje ushtarake në vend pas 21 janarit ai ende vijon të shohë ëndrra me puçe.

“Pasi mblodhi jashtë çdo lloj procedure në shkelje flagrante të Kushtetutës, gjeneralët e ushtrisë me në krye Arben Imamin dy ditë pas 21 Janarit, dhe pasi aludoi përmes gojës së Ministrit Basha se gjoja ambasadorë të huaj paskërkan këshilluar përdorimin e forcave të armatosura, Sali Berisha edhe sot vazhdon të shohë ëndrra me sy hapur, për puce që asgjësohen nga forca komando”, deklaroi zonja Kodheli.

[media id=95 width=620 height=440]

Ajo nënvizoi se është “Turp i madh për këtë pseudokryeministër të dalë jashtë çdo lloj kornize të arsyes, që edhe sot, plot 18 ditë pas, sheh ende grushte shteti imagjinare, me thika me helm e me çadra me plumba, që vetëm mendja e tij mendon se mund t'i shtypë me ushtrinë e Arben Imamit”.

mit/NOA

KOMENTE