English

PS: Turp, Meta vërdalloset me bllok, shet favore për zgjedhjet vendore

Tiranë, 8 shkurt 2011, NOA – “Drejtësia nuk mund të lejojë që skandali i Ilir Metës të kthehet në një tjetër dështim si ai i Gërdecit. Video që panë gjithë shqiptarët nuk lë vend për dyshime për korrupsionin marramendës të Ilir Metës”. Kështu ka deklaruar sot selia rozë, i cila theksoi se “Skandali i turpshëm i videos të Ilir Metës që u tregoi shqiptarëve me zë e me figurë sesi mund të fitohen 700 000 euro për pesë minuta nëse je ortak në vjedhje i Sali Berishës, nuk mund të mbyllet me një dorëheqje të thjeshtë të kryetarit të ndjesë pastë Lëvizjes Socialiste për Integrim”.

Ishte deputetja socialiste Olta Xhaçka e cila në një konferencë për shtyp theksoi se është e turpshme që Ilir Meta vjen vërdallë lart e poshtë nëpër Shqipëri duke u përpjekur të shesë favore e faqe nga blloku i tij në këmbim të votave për zgjedhjet vendore të 8 majit.

Sipas deputetes Xhaçka dorëheqja e Ilir Metës s’është asgjë më tepër se një farsë për aq kohë që ai vazhdon të kontrollojë Ministrinë e Ekonomisë e për pasojë të vjedhë e pasurohet pa i hyrë gjemb në këmbë për aferat e skandalet të provuara publikisht.

“Kur vetë Ilir Meta, pa iu dridhur qerpiku, vazhdon të shëtisë andej këndej nëpër Shqipëri, duke vazhduar të premtojë e premtojë, duke vazhduar të mbushë e plotësojë faqe të reja të bllokut të tij të vjetër, pasi sot vërtet Ilir Meta mund të mos jetë Ministër i Ekonomisë, por kjo Ministri vazhdon të mbetet prona private e tij; pasi Ilir Meta vërtet mund të mos jetë më pjesë e qeverisë, por morali i tij dhe ai i Sali Berishës janë themelet që mbajnë në këmbë këtë qeveri të korruptuar gjer në palcë”, përfundoi deklaratën për shtyp deputetja socialiste Olta Xhaçka.

mit/NOA

KOMENTE