Tiranë, 9 shkurt 2011, NOA Update – “Fatkeqësisht, kur duhet të flasë vetëm drejtësia dhe të gjithë të heshtin, beteja e gjatë politike, e cila në fakt shkaktoi 21 janarin, vazhdon të prodhojë fajtorë dhe të fajësuar, përgjegjës dhe bashkëpërgjegjës, të akuzuar dhe akuzues, duke anashkaluar thelbin dhe përgjegjësinë politike e duke penguar drejtësinë në të gjitha hallkat e saj që të ndajë të vërtetën nga e pavërteta”. Këto janë fjalët e Presidentit të Republikës Bamir Topi në përgjigje të akuzave të përditshme të artikuluara edhe ndaj Tij, që mbushën terrenin e politikës shqiptare pas demonstratës së 21 janarit ku u vranë katër demonstrues e u plagosën dhjetëra të tjerë.
“Kanë kaluar më shumë se dy javë nga ngjarja tragjike e 21 janarit dhe akoma Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të pasqaruar se çfarë ndodhi dhe si ndodhi. Shteti i së drejtës është në punë për t’iu përgjigjur ligjit dhe moralit. Viktimat dhe familjarët e tyre kërkojnë të vendoset drejtësia, institucionet e dhunuara kërkojnë të veprojë drejtësia, të gjithë qytetarët kërkojnë drejtësi, siguri dhe qetësi”, theksoi Presidenti Topi, duke theksuar edhe njëherë besimin e tij se do të jetë drejtësia shqiptare ajo që do të zbardhë gjithçka lidhur me 21 janarin, duke i bërë thirrje asaj të mos nënshtrohet nga politika, por të hetojë e pavarur.
“Unë jam besimplotë se drejtësia do të dijë të kapërcejë këtë sfidë, ashtu siç pohoj se kjo është sprova më e madhe dhe historike për drejtësinë shqiptare. Nënshtrimi dhe frikësimi ndaj pushteteve të politikës do të ishte fatale për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në Shqipëri dhe përballja dinjitoze me presionin e politikës do të rimëkëmbë besimin e humbur dhe do të kthente shpresën se Shqipëria ka një të ardhme të sigurtë demokratike dhe se insitucionet janë të qëndrueshme dhe të pathyeshme ndaj presioneve të individëve”, vlerësoi Kryetari i Shtetit.
Sipas Presidentit në çdo moment është vendimtar respektimi i institucioneve të pavarura, duke bërë me dije se çdo interpretim ndryshe, nënkupton nënshtrimin ndaj atij që e ka zgjedhur.
Presidenti i Republikës duke i kthyer përgjigje mazhorancës lidhur me alibinë se Presidenti nuk ndërhyri aspak në qetësimin e situatës së 21 janarit, zoti Topi theksoi se ai si institucion i unitetit kombëtar flet vetëm në emër të qytetarëve dhe jo në emër të partive politike.
“Unë mbetem zëdhënësi i popullit edhe i atyre që nuk ndihen të përfaqësuar politikisht, edhe i atyre, zëri i të cilëve nuk mbërrin tek veshi i politikanëve, edhe i atyre që janë të pakënaqur nga politika, nga qeveria apo opozita, pavarësisht se mund të kenë votuar edhe për to, edhe i atyre të cilët sot janë të përhumbur në mjegullnajën politike të pas 21 janarit”, tha Presidenti.
Ai nënvizoi se qytetarët që ai përfaqëson janë shumë më tepër se ata që frikësohen nga e vërteta e 21 janarit, dhe se ata që përpiqen të shpërndajnë përgjegjësinë duke njollosur institucionet.
“Unë i qëndroj betimit tim të bërë në Kuvendin e Shqipërisë në momentin e zgjedhjes sime si President: “Unë si, President i Republikës, nuk i takoj më një pjese. I takoj, së pari qytetarit, dhe e gjithë veprimtaria ime shndërrohet në insitucionale në respekt të ligjeve dhe të interesit kombëtar”, garantoi Kryetari i Shtetit.
Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura theksoi sakaq se mbetet luftëtar i paepur për të drejtën, për drejtësinë, për shtetin e së drejtës, për pavarësinë e institucioneve, për respektimin e Kushtetutës, dhe për mbrojtjen e interesave të qytetarëve.
Pyetje: Zoti President, ka pasur shumë interpretime për 21 janarin, sidomos për praninë tuaj fizike. A ka mundësi ta dimë se ku keni qenë nga ora 13.00 deri në orën 17.00 të asaj dite, që të shuajmë edhe kureshtjen e publikut? Edhe një pyetje të dytë, nëse ka mundësi: “Meqenëse ka dështuar marrëdhënia e Presidentit me Kuvendin lidhur me Komisionin Hetimor, a mund të dëshmoni publikisht, cili është qëndrimi juaj për demonstratën e 21 janarit? Si mund ta karakterizoni atë?
Presidenti Topi: Për këtë pyetje, në rast se ju keni marrë ndonjë çertifikatë që jeni pjesë e Komisionit Hetimor, unë me kënaqësi jua jap përgjigjen.
Ju duhet të dini që Presidenti jeton në Tiranë. Nuk e ka pasur zakon gjatë tre viteve e gjysmë të ushtrimit të detyrës së tij, qoftë edhe për një natë të vetme të qëndrojë në rezidencat shtetërore. Kjo do të thotë se jetoj në Tiranë dhe gjatë këtyre viteve, nga pikëpamja e ushtrimit të së drejtës për të bërë pjesë në shoqëri, padyshim që jeta është varfëruar. Jeta ime në këto vite është koncentruar nga zyra e shtetit, në zyrën time në shtëpi. Padyshim që i gjithë aktiviteti i Presidentit është shumë transparent dhe është shumë institucional. Uroj që edhe të tjerët, qoftë përfaqësues të institucioneve, qoftë përfaqësues të medias të varur apo të pavarur, të kenë sensin e realitetit! Vetëm sensi i realitetit do të bëjë që çdo individ, çdo person, çdo gazetar, çdo politikan të jetë afatgjatë, të mos jetë afatshkurtër dhe i mbuluar me turp.
Pyetje: Kohët e fundit jeni bërë objekt i sulmeve të ashpra nga Kryeministri, nga Kryetarja e Parlamentit duke ju akuzuar ju për të ashtuquajturin “puç të shtetit”. A mendoni se Komisioni Hetimor do ta zhvendosë hetimin drejt institucionit tuaj duke ju akuzuar për përfshirje në të ashtuquajturin puç?
Presidenti Topi: Së pari do të thoja që unë kam kohë që nuk vendos diagnoza. Kjo do të thotë që merrem vetëm me aktivitetin tim shumë institucional dhe padyshim që ky institucion është transparent në të gjithë aktivitetin e tij. Është në të drejtën e çdolloj institucioni që të zhvillojë aktivitetin e tij brenda parametrave kushtetues që i lejon kushtetuta dhe ligji. Unë uroj që çdo institucion, qoftë edhe ata, të cilëve ju u referoheni, të rifitojnë, sepse e kanë mundësinë, hapësirën e funksionimit demokratik! Çdo institucion, në radhë të parë Parlamenti shqiptar! E kam thënë edhe kohë më parë. Nuk kam thënë ndonjë gjë të re, sepse duke besuar që shkoj gërmë pas gërme sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, kam thënë për Parlamentit që duhet t’i rikthejë Parlamentit hapësirën demokratike! Duke filluar me frymën e funksionimit, me procedurën dhe me produktin. Ai është organi përfaqësues i popullit, i cili kurrësesi nuk mund të ndahet në popull të djathtë apo të majtë, sepse ligji është i rëndësishëm për të gjithë. Aktiviteti i Parlamentit është i rëndësishëm për të gjithë, qofshin ata që e ndiejnë veten të majtë, qofshin ata të djathtë, qofshin këta të qendrës, qofshin ata që nuk duan t’ia dinë për politikën. Ky është reflektim që duhet bërë nga çdo lloj institucioni: në çdo institucion të rikthehet hapësira demokratike. Kjo është plotësisht e mundur dhe kjo nuk duhet të jetë në funksion të karrigeve të pushtetarëve, cilido qoftë ai, por në funksion të qytetarëve. Pyetje: Zoti President, sot, pas më shumë se dy javësh nga ngjarja e 21 janarit, drejtësia po akuzohet për zvarritje të qëllimshme të hetimeve, madje për dështim në këtë drejtim. Ju jeni autoriteti më i lartë i drejtësisë në vend. Sa përgjegjës ndiheni për këtë?
Presidenti Topi: Së pari, unë i qëndroj edhe njëherë paragrafit të dytë të fjalës sime sot: duhet të kemi parasysh që drejtësia të punojë, të tjerët duhet të heshtin! Vërtet, Presidenti ka edhe cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por ju duhet ta dini që edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë kompozohet nga përfaqësues të disa pushteteve.
Nga ana tjetër, ritheksoj edhe njëherë nevojën që çdo institucion, pavarësisht që nuk ka lidhje të drejtëpërdrejtë me sistemin e drejtësisë, duhet të kontribuojë me transparencën, me të gjithë dokumentacionin për t’i shërbyer së drejtës. Duhet ta lemë drejtësinë të punojë! Drejtësia, sikurse ju edhe po e shikoni, po punon. Minimumi që duhet të bëjmë të gjithë është që duhet të mos ta intimidojmë! Ta lejojmë që të punojë, të nxjerrë produktin e vet! Urojmë që drejtësia të japë drejtësi!
Pyetje: Në situatën e fundit, ju shpresoni se ka vend për dialog apo është rasti për zgjedhjet e parakohshme? Kam parasysh që opozita po mban këtë qëndrim se zgjedhjet e parakohshme do të ishin mundësia e vetme për dialog me mazhorancën në këtë situatë.
Presidenti Topi: Edhe njëherë, unë kurrsesi nuk mund të futem dhe nuk mund të bëhem pjesë e opsioneve politike të partive politike. Kjo është kategorike. Kështu që mos kërkoni nga Presidenti se çfarë intensionesh, se çfarë opsionesh kanë partitë politike! Ajo që unë jap si një mesazh konstant, gati-gati, i kthyer në mërzi, kur u bëj thirrje që të ushtrojnë maturi dhe dialog. Po të shikoni, në të gjitha ligjëratat e mia, pavarësisht se mund të ketë qenë direkte apo në funksion të ndonjë aktiviteti të caktuar, është dhënë vetëm ky mesazh. Ky është mesazhi që duhet të japë Kryetari i Shtetit dhe besoj që këtë mesazh japin të gjithë krerët e shteteve kur ka probleme të kësaj natyre politike. Unë uroj që të kemi një rikthim në normalitet të jetës politike! Uroj që të rikthehet në normalitet jeta e Parlamentit në tërë kompleksitetin e vet, sepse Shqipëria ka nevojë qoftë për transparencë politike dhe publike, qoftë për debatin politik parlamentar, qoftë për ligje dhe për garancinë që të gjithë së bashku duhet t’u japim institucioneve, pavarësisht se ku jemi dhe se çfarë detyrash ushtrojmë në një moment të caktuar. mit/NOA