Tiranë, 9 shkurt 2011, NOA – Vizitën e beftë në kryeqytetin shqiptar të Zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan Thomas Countryman dhe anulimin e fluturimit të tij drejt Kosovës e ka sqaruar edhe Ambasada e SHBA-ve në Tiranë. Zyra e shtypit e kësaj ambasade bën të ditur anulimi i vizitës së Countrymanit në Kosovë u bë për arsye teknike.
Ambasada amerikane njoftoi se avioni me të cilin udhëtonte Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit nuk mund të ulej në aeroportin e Prishtinës për shkak të mjegullës së dendur që mbulon Prishtinën.
Është pikërisht kjo arsyeja pse zyrtari amerikan i shtetit për Europën dhe Azinë, Thomas Countryman, vizitën në Tiranë që e kishte planifikuar për të premten në 18 shkurt do ta zhvillojë sot.
Pas takimeve me shefin e mazhorancës Sali Berisha dhe atë të opozitës Edi Rama, por ndoshta edhe të një takimi ende të palajmëruar me Presidentin e Republikës do të japë një konferencë për shtyp në orën 19.00 në mjediset e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Pas shqetësimeve të shprehura mbi situatën e rënduar politike pas vrasjes së katër demonstruesve në 21 janar, Countryman pritet t’i bëjë rishtas thirrje palëve kundërshtare politike të gjejnë gjuhën e dialogut institucional dhe të gjejnë kompromisin e nevojshëm për zgjidhjen e krizës politike në vend.
Por është rastësi që vizita e Countryman e planifikuar më parë në Tiranë për datën 18 shkurt përkon edhe me demonstratën e radhës së opozitës, e cila do të mbahet këtët të premte në 18 shkurt.
Mund të duket rastësi ky ndryshim plani, por nuk është e vështirë të kujtojmë se vetë Ambasada Amerikane pas ngjarjeve të 21 janarit dhe në vigjilje të demonstratave që pasuan atë u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të qëndrojnë larg bulevardit të Tiranës në ditën e demonstratave.
Madje vetë Ambasada në 28 janar, një javë pas demonstratës së dhunshme të 21 janarit mbylli edhe mjediset e saj.
mit/NOA