English

Anullon vizitën në Kosovë, vjen sot në Tiranë Thomas Countryman

Tiranë, 9 shkurt 2011, NOA- Zëvendës Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit për Europën dhe Azinë, Thomas Countryman pasi ka anuluar vizitën e tij të paralajmëruar për sot në Kosovë mësohet se do të vizitojë po sot Tiranën. Lajmi është konfirmuar nga zyra e shtypit e Kryeministrit, e cila informon se Zëvendës Ndihmëssekretari amerikan i shtetit Countryman do të zhvillojë në orën 14.30 një takim me kryeministrin Sali Berisha. Ndërkohë burime nga selia rozë bëjnë të ditur se zyrtari amerikan do të ketë një takim me shefin e opozitës Edi Rama në orën 15.45.

Gjatë vizitës së tij të beftë në kryeqytetin shqiptar Zëvendës Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit Thomas Countryman pritet të zhvillojë një takim edhe me Presidentin e Republikës Bamir Topi.

Lajtmotiv i takimeve të zyrtarit amerikan me autoritetet e larta të vendit pritet të jetë situata politike në vend dhe gjetja e një zgjidhjeje apo arritja e një kompromisi që palët të dialogojnë në mënyrë institucionale.

Disa ditë më parë në një intervistë për Zërin e Amerikës, Zëvendës Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit shprehu shqetësimin për situatën e rënduar politike në vend pas ngjarjeve të 21 janarit.

Ai ka theksuar se për qetësimin e situatës duhet që palët të nisin sa më parë dialogun politik, ndërkohë që ka theksuar se kërkesa për zgjedhje të parakohshme nuk është zgjidhja e mosmarrëveshjeve politike mes mazhorancës dhe opozitës.

Zëvendws Ndihmëssekretari amerikan bëri thirrje të lejohet Prokuroria të hetojë dhe zbardhë në mënyrë të pavarur e të paanshme ngjarjet e 21 janarit dhe të zbardhë vrasjet e katër demonstruesve.

Në fund të takimeve me krerët e politikës shqiptare pritet që Zëvendës Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit Thomas Countrymen pritet të zhvillojë një konferencë për shtyp.

mit/NOA

KOMENTE