Tiranë, 9 shkurt 2011, NOA – Gjatë kësaj të mërkure Kryeministri Sali Berisha priti një delegacion të Zyrës Europiane e Patentave, i kryesuar nga Presidenti i saj Benoit Battistelli. Zyra e shtypit e qeverisë bëri me dije se zoti Battistelli shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin me Shqipërinë, e cila është anëtarja më e re e Zyrës Europiane të Patentave.
Duke shprehur impresionet e tij në vizitën e parë në Shqipëri, Battistelli tha se numri i vendeve është 38, por numri i anëtarëve si individë është me miliona.
Zoti Battistelli e konsideroi të rëndësishme hyrjen e Shqipërisë në këtë organizëm, duke shprehur besimin se duke punuar së bashku do të prezantohen standardet europiane të pronësisë industriale dhe intelektuale edhe në Shqipëri.
Ai informoi se Shqipëria si anëtarja më e re e këtij organizmi do të ketë rolin e saj në strukturat e Zyrës Europiane të Patentave.
Vetë shefi i ekzekutivit e siguroi Presidentin e Zyrës Europiane të Patentave se “për qeverinë shqiptare problemi i pronësisë industriale dhe intelektuale është shumë i rëndësishëm, e se në këtë drejtim, prezantimi i standardeve europiane dhe forcimi i kapaciteteve të Zyrës shqiptare përbën një aspekt të rëndësishëm të zhvillimit”. Kryeministri shprehu gjithashtu besimin se përfitimet e anëtarësimit në këtë organizëm europian janë të shumanshme.
Zoti Berisha nënvizoi se qeveria do të mbështesë pa rezerva e me prioritet zhvillimin e kësaj Zyre dhe realizimin e objektivave të saj, në drejtim të formimit të ekspertëve publikë e privatë, të zhvillimit të kapaciteteve teknike.
Sipas Kryeministrit, Qeveria shqiptare është e ndërgjegjshme për përfitimet që rrjedhin nga anëtarësimi në këtë organizëm dhe nga mbështetja e zhvillimi i pronësisë industriale. Berisha sqaroi se “Patentat dhe markat e regjistruara dhe të mbrojtura përbëjnë një nxitje dhe garanci për sipërmarrësit vendas dhe në tërheqjen e investitorëve dhe sipërmarrësve të huaj”.
mit/NOA