Tiranë, 9 shkurt 2011, NOA – Duket se mosekzekutimi i gjashtë urdhër-ndalimeve dhe mosdorëzimi nga Policia e Shtetit i gjashtë gardistëve të Gardës së Republikës pranë Prokurorisë së Tiranës për t’u pyetur rreth ngjarjeve të 21 janarit ka marrë fund. Zyra e shtypit e Prokurores së Përgjithshme Ina Rama informoi sot se dje në orën 18.00’ janë dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës të gjashtë gardistët për të cilët Kryeprokurorja Rama urdhëroi ndalimin e tyre në 22 janar, një ditë pas vrasjes së demonstruesve.
Prokuroria bën të ditur se janë dorëzuar pranë saj Komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi, si dhe gardistët Dashamir Shehi, Alfred Ahmetcenaj, Aleksandër Deda, Fatos Bushati dhe Altin Kollçinaku, që të gjithë efektivë të Gardës së Republikës. Sikundër bën të ditur zyra e kryeprokurores menjëherë mbas dorëzimit, policia gjyqësore e Tiranës ka zbatuar për të gjashtë personat, urdhërat e prokurorit, të datës 22.01.2011, për ndalimin e tyre, duke i vënë ata në dispozicion të hetimit.
Në njoftimin për shtyp thuhet se të gjashtë të ndaluarit iu nënshtruan marrjes në pyetje nga prokurorë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe kjo procedurë vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit të datës 09.02.2011.
Sipas Prokurorisë në përfundim të kësaj procedure, si dhe në vlerësim të rrethanave të deritanishme të hetimit, prokurorët e e ngjarjeve të 21 janarit kanë urdhëruar lirimin e menjëhershëm për shtetasit Ndrea Prendi, Dashamir Shehi, Aleksandër Deda, Fatos Bushati dhe Altin Kollçinaku.
Prokuroria thekson se për komandantin e Njësisë Speciale të Gardës së Republikës Alfred Ahmetcenaj, dhe shefin e shtabit të kësaj njësie Agim Llupo, i ndaluar një ditë më parë, Prokuroria do të procedojë me paraqitjen në Gjykatë të kërkesës për vleftësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit, si persona të dyshuar për kryerjen në bashkëpunim të veprës penale si persona të dyshuar për kryerjen në bashkëpunim të veprës penale të parashikuar nga neni 79, gërmat “dh” dhe “ë” të Kodit Penal.
Sikundër vërtetoi edhe ekspertiza balistike arma që vrau demonstruesit Ziver Veizi në 21 janar ishte ajo e Agim Llupos, i cili akuzohet për vrasjen e Veizit, me argumentin se Llupo ka shkelur kompetencat duke qëlluar mbi demonstruesit kur ky ishte jashtë rrethimit të godinës së kryeministrisë.
Dorëzimi i gjashtë gardistëve pranë Prokurorisë vjen pikërisht dy ditë pasi Kryeministri i vendit Sali Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë për të bashkëpunuar totalisht me Prokurorinë e Përgjithshme për hetimin dhe zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit.
Dorëzimi gardistëve duket të jetë një nga hapat e këtij bashkëpunimi, të cilin Kryeministri e përligji edhe me ardhjen në Tiranë të Prokurorit amerikan, i cili po jep ndihmë teknike në këtë hetim kyç.
mit/NOA