Bruksel, 9 shkurt 2011, NOA- U mbajt në Bruksel takimi i dymbëdhjetë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën .
Ky takim u zhvillua ditën e djeshme nën drejtimin e shefit të Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, ku u rikonfirmua mbështetja për një Kosovë demokratike dhe shumetnike në kufijtë e tanishëm.
“GND-ja pret që shumë shpejt të formohet qeveria e re dhe të zgjidhet Presidenti i Republikës, duke theksuar rëndësinë që qeveria e re të jetë funksionale, kompetente dhe e besueshme. Ajo duhet të jetë e gatshme që të merret me nevojën urgjente për zhvillim socio-ekonomik, duke përfshirë edhe krijimin e vendeve të punës dhe zvogëlimin e varfërisë, të forcojë sundimin e ligjit dhe të vazhdojë procesin për të mundësuar integrimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe shoqëri”, thuhet në një njoftim të i Zyrës Civile Ndërkombëtare.
Më tej një vëmendje e veçantë ju kushtua zgjedhjeve të 21 dhjetorit ku u tha se, përveç disa parregullsive, GND-ja thekson se autoritetet e Kosovës, e veçanërisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme, kanë luajtur rolet e tyre përkatëse në mënyrë adekuate, efikase dhe të përgjegjshme, në përputhje me kornizën ligjore ekzistuese në Kosovë.
Ndër të tjera GND-ja u bëri thirrje të gjitha organizatave, institucioneve dhe individëve përkatës që t’i përgjigjen pa vonesë kërkesës së EULEX-it për ndonjë dëshmi që ata kanë në lidhje me pretendimet që përmban raporti i Martit, dhe autoriteteve kompetente që të ndërmarrin masat e duhura për të mbrojtur dëshmitarët.
“GND-ja e përsërit shpresën e saj për një dialog të sinqertë, me respekt dhe konstruktiv ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si shtete të pavarura dhe sovrane, për identifikimin dhe zgjidhjen e çështjeve praktike të interesit të përbashkët në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera, Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën u bëri thirrje shteteve të tjera që të njohin pavarësinë e saj.
a.y/NOA