English

Hetimet e 21 janarit, ndalohet dhe zëvendëskomandanti i Gardës

Tiranë, 9 shkurt 2011, NOA – Ndërkohë që gjashtë urdhër-ndalimet e para për gjashtë gardistët të lëshuara nga Prokuroria ende nuk janë ekzekutuar, tashmë organi i akuzës pas arrestimit një ditë më parë të Shefit të Shtabit të Njësisë Speciale Agim Llupos, i cili rezultoi se kishte qëlluar për vdekje demonstruesin nga Gjirokastra Ziver Veizi, me urdhër të Prokurorisë, policia ndaloi sot edhe zëvendëskomandantin e Gardës së Republikës Alfred Ahmetcenaj.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, zëvendëskomandanti Ahmetcenaj dyshohet se i ka dhënë urdhër gardistit Agim Llupo të shtjerë me armë mbi turmën.

Një ditë më parë ekspertiza balistike vërtetoi se plumbi që kishte vrarë Ziver Veizin në 21 janar kishte dalë nga automatiku i gardistit Agim Llupo, i cili në pamjet reale në kamera është gardisti i pozicionuar në një dritare të errët pranë godinës së kryeministrisë.

Shefi i shtabit të gardës Agim Llupo u arrestua me akuzën se ishte autori i vrasjes së Ziver Veizit, pasi ekspertiza balistike vërtetori se demonstruesi Veizi u vra me një automatik MP-5 të kalibrit 9 mm, të cilën e mbante gardisti Agim Llupo.

Gjithashtu po sipas Prokurorisë mësohet se arma e Llupos ishte e pajisur edhe me dylbi snajper.

Për gjetjen e përgjegjësve që qëlluan mbi katër demonstruesit pritet edhe autopsia e trupave të katër demonstruesve si dhe hetimet e plota.

mit/NOA

KOMENTE