Gazeta gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" boton nën titullin "Korrupsioni si sistem"një analizë nga Karl-Peter Schwarz, mbi sistemet e korruptuara në vendet e Evropës Juglindore
Nga Karl-Peter Schwarz
Nëse Rumanisë dhe Bullgarisë u refuzohet hyrja në Shengen, nëse shtyhen negociatat për antarësimin e Kroacisë në BE, nëse në Tiranë vriten tre demonstrues në një miting kundër qeverisë, përherë fjala është për korrupsionin dhe për mënyrën si duhet luftuar ai. Në gati çdo bisedë për vendet post-komuniste, veçanërisht për ato të Evropës Juglindore, përmendet kjo fjalë. Ajo është bërë simbol për çdo gjë, që është në kundërshtim me modernizimin, zbatimin e ligjit dhe afrimin me BE-në.
Pakënaqësia, që ndjejnë elitat politike lidhur me këtë, është mjaft e madhe. Po nuk janë pakt as në shtetet e „vjetra“ të BE-së, ato që e kundërshtojnë absolutizimin e kësaj kritike. A nuk është lakmia një konstante e njeriut? A nuk ka korrupsion kudo? A nuk ka favorizime në Këln, Selanik dhe Palermo? Dhe a nuk është fundja privilegjimi i disa shtresave të zgjedhësve në luftën e partive për vota, një formë e zbutur e korrupsionit?
Vërejtjet janë të drejta, por nuk marrin parasysh një dallim të madh ndërmjet shteteve të vjetra dhe të reja anëtare të BE-së. Në një shtet juridik të konsoliduar korrupsioni është një shkelje individuale e një norme të pranuar dhe të respektuar përgjithësisht. Ku mbizotëron ligji, korrupsioni mund të dobësohet, në qoftë se politikanët, gjykatësit, zyrtarët dhe menaxherët e ndërmarrjeve shtetërore kontrollohen në mënyrë rigoroze. Dhe në qoftë se kufizohet sfera e veprimit të tyre dhe ulet vëllimi i të mirave publike përmes privatizimeve.
Në vendet post-komuniste ndodh ndryshe
Atje nuk kemi thjesht vetëm më shumë raste individuale të korrupsionit, atje kemi të bëjmë më tepër me një fenomen. Në komunizëm nuk kishte barazi para ligjit. Sundimi partiak, i prezantuar si sundim i klasës, ishte absolut, që nga maja e nomenklaturës deri poshtë tek spiuni i fundit. Sa më afër qendrës së pushtetit të ishe, aq më të mëdha ishin privilegjet. Jo rendimenti, paraja, apo prestigji personal ishin vendimtarë për këtë, por rangu në strukturat shtetërore. Anëtari i Komitetit Qendror, apo anëtari i Lidhjes së Shkrimtarëve nuk e kishte të nevojshme t'i jepte ryshfet mjekut, që ta trajtonte siç duhet. Kafe, cigare, konjak duhet të shpenzonin vetëm ato, që nuk kishin ndikim. Për ta vlenin ligjet e tregut, vlefshmërinë e të cilëve e mohonte regjimi.
Vendet post-koministe të Evropës Juglindore vuajnë nga trashëgimia e komunizmit në mënyrë të veçantë, sepse ndryshimi i sistemit - ndryshe nga vendet evropiano-qendrore filloi më vonë dhe u bë në mënyrë më me pak konsekuencë. Regjimet komuniste kombëtare të rajonit - ai rumun, shqiptar dhe sidomos jugosllav- u shkatërruan në një orgji dhune, ku strukturat e pushtetit u ristrukturuan dhe u rietiketuan pa ndodhur ndonjë ndryshim i përmasave të mëdha tek elitat.
Akoma vazhdon të jetë përcaktues statusi në strukturën e pushtetit dhe influenca, që rrjedh prej tij. Partitë e quajnë veten socialdemokrate, liberale, nacionale, demokratike apo konservatore, por ato as që e marrin mundimin për konceptet programore të tyre.
Kur do të ndjekë një vend i Evropës Juglindore shembullin e tunizianëve apo të egjiptianëve?
Ashtu si dhe më parë është afërsia me qendrat e pushtetit ajo që vendos për karrierat në universitete dhe në media, për shpërndarjen e kontratave publike, apo për mbrojtjen nga ndjekja penale. Çfarëdo që të ndërmerret në Ballkan politizohet.
Lufta politike nga ana tjetër reduktohet në luftën për pushtet dhe ndikim. Shumë pak vend zenë zgjidhjet objektive. Prioritet ka qasja në të mirat publike, hartimi i kuadrit ligjor për interesat e veçanta, pasurimi personal. Kush do të bëjë karrierë, pajtohet me këto, dhe kontribuon kështu në qëndrueshmërinë e sistemit. Brezi i ri, i cili nuk është rritur nën regjimin komunist, përshtatet. Natyrisht që në të gjitha vendet dhe në të gjitha grupmoshat ka njerëz të mirë, ndër ta politikanë, gjykatës, nëpunës dhe gazetarë, që luftojnë kundër kësaj dhe i hyjnë shpesh një rreziku të madh. Por, në asnjë vend të Evropës Juglindore deri tani ato nuk kanë pasur vërtet sukses.
BE-ja në këto vende ka të bëjë me një klasë politike, që është ashtu siç është. Nuk është realiste të presësh nga kjo klasë, që ajo të ndryshojë sistemin, nga i cili ajo përfiton. Shoqëria civile është e dobësuar, disidentët dhe intelektualët largohen nga skena politike. Hendeku ndërmjet partive dhe qytetarëve, që vuajnë nën korrupsionin, shpërdorimin e pushtetit dhe nga pasiguria ligjore, bëhet gjithnjë e më i madh. Do të varet nga durimi i qytetarëve, se sa do të zgjasë, derisa vendi i parë i Evropës Juglindore të ndjekë rrugën e Tunizisë.
*Marrë nga “Frankfurter Allgemeine Zeitung”