English

Kuçi: Qeveria do të krijohet para 17 shkurtit

Prishtinë, 9 shkurt 2011, NOA- Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se PDK-ja gjatë ditëve në vazhdim do të ketë të vijëzuar orientimin për ndërtimin e koalicionit qeverisë para 17 shkurtit.

Ai sqaroi se askush deri tani nuk ka pasur ofertë nga PDK-ja dhe la të kuptohet se qëndrimet e partive tashmë të deklaruara rreth kushteve për koalicion, janë të paqëndrueshme.

I pyetur se si i komenton kërkesat e partive politike për t’u bërë pjesë e koalicionit, Kuçi ka thënë se ato janë normale dhe që janë thjeshtë ambicie politike apo edhe personale.

Por siç thotë ai, “pikë vendosëse” për ndërtimin e koalicionit do të jetë vetëm PDK-ja dhe se kush nuk është i gatshëm t’i përshtatet ofertës së PDK-së nuk mund të jetë pjesë e koalicionit qeverisës.

I pyetur për deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve të AAK-së se do të hyjnë në koalicion vetëm nëse Hashim Thaçi nuk është kryeministër, Kuçi ka thënë se këto janë deklarata që arsyetohen me një logjikë të përgjithshme të politikës në Ballkan, që siç tha ai, “është e zakonshme të sulmohen liderët”.

Madje, duke folur edhe për çështjen e “personave me duar të pastra” në qeverisje, Kuçi ka thënë se PDK-ja është e përgjegjshme për veprimet e saj dhe është drejtësia ajo që qëndron mbi të gjithë, pasi problemet juridike nuk mund të zgjidhen përmes rrugëve politike.

Ndër të tjera, Kuçi shprehu besimin se formimi i institucioneve do të ndodh para 17 shkurtit.

(INA)/NOA

KOMENTE