Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut
I nderuri Prokuror i Shtetit, z. Kabashi
Besoj se jeni në dijeni se më 10 shkurt 2007 në protestat paqësore për të kundërshtuar proceset e atëhershme politike në Kosovë e që ishin të dëmshme, në Prishtinë u organizuan protesta ku merrnin pjesë afërsisht 35-40.000 protestues, qytetarë të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare. Këto protesta ishin paqësore dhe protestuesit me asnjë veprim nuk rrezikuan jetën e qytetarëve, policëve të Policisë së Kosovës dhe atyre ndërkombëtarë si dhe gjithashtu, me asgjë nuk i rrezikuan institucionet e Kosovës. Në këto protesta janë ekzekutuar nga afërsia dy protestues paqësorë, Arben Xheladini dhe Mon Balaj ndërsa rëndë dhe lehtë janë lënduar mbi 100 protestues. Pas ekzekutimit të tyre ka filluar një ndjekje e atyre që kanë marrë pjesë në këto protesta apo që konsiderohet se janë përgjegjës për organizimin e tyre. Ekzekutimin e protestuesve paqësorë e kanë bërë policët e kontigjentit rumunë të Policisë së UNMIK-ut , polakë dhe ukrainas. Ndërsa, ata që e kanë udhëhequr këtë operacion kanë qenë eprorë gjermanë dhe amerikanë. KMDLNj ka monitoruar këto protesta gjatë tërë kohës andaj është dëshmitar nga vendi i ngjarjes për një krim të kryer dhe i cili, deri më tani ka mbetur i pandëshkuar. KMDLNj, menjëherë e ka denoncuar këtë krim mirëpo, përveç karakterit sensibilizues nuk ka arritur rezultate në krijimin e kushteve për ndjekjen e përgjegjësve dhe urdhërdhënësve të këtij krimi kundër fjalës së lire dhe të drejtës për demonstratë, si të drejta elementare të njeriut.
I nderuari Prokurori i Shtetit,
Rasti i ekzekutimit të Arben Xheladinit dhe Mon Balajt në protestat e 10 shkurtit si dhe dhunimi në masë të gjerë i të drejtave të njeriut nga një pjesë e medieve të shkruara dhe elektronike, policia dhe politika nuk mund të konsiderohen si ad acta, raste të mbyllura por duhet të rinisin hetime për sqarimin përfundimtar. Si prova për rinisjen e hetimeve Prokuroria që e drejtoni Ju mund të përdor dëshmi si:
- deklaratat e monitoruesve të KMDLNj-së dhe materialet e tjera të KMDLNj –së
- deklaratat e dëshmitarëve protestues që kanë mbijetuar dhunën dhe që janë lënduar në këto protesta
- deklaratat e personelit mjekësorë të QKUK-së që janë përkujdesur për shërimin e të lënduarve
- intervistën me Agim Çekun, ish kryeministër i Kosovës
- raportet për obduksion të Institutit për Mjekësi Ligjore
- raportet balistike
- raportet e medieve të shkruara dhe elektronike, para , gjatë dhe pas përfundimit të protestave paqësore në bazë të të cilave do të përcaktohej përgjegjësia e tyre si shtytës për kryerjen e krimeve në raste kur vërtetohet fajësia e tyre
- raportet e policisë së UNMIK-ut përkatësisht intervistimi i policëve rumunë si përgjegjës për ekzekutimin e protestuesve paqësorë
- intervista me Stiven Kurtis, shef i Policisë së UNMIK-ut , për shkak të përgjegjësisë komanduese
- intervista me Stiven Shuk, zëvendëskryeadministrator i UNMIK-ut, si urdhërdhënës politik
- intervista me Reshat Maliqin, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës atëherë shef i operativës mbi rolin e mundshëm të Policisë së Kosovës në shtypjen me dhunë të protestave paqësore
- intervista me liderë politikë kosovarë mbi përgjegjësinë politike për dhunën ndaj protestuesve paqësorë
- raportet dhe kërkesat e Amnesty International dhe Human Rights Watch për një hulumtim të pavarur të kërij rasti
- raporti i Komisionit të “ pavarur “ të caktuar nga UNMIK-u dhe i kryesuar nga prokurori Robert Din
- materiale të shumta të filmuara
- intervista me eprorë policorë amerikanë, gjermanë, polak, ukrainas, pjesëmarrës dhe urdhërdhënës në këtë intervenim kriminel
- raporti i Panelit për të Drejtat e Njeriut i UNMIK-ut që ka trajtuar këtë rast, jo duke kërkuar dhe përcaktuar përgjegjësi por duke bërë përpjekje të blejë pafajësinë duke kompensuar familjet e viktimave, pa procedurë paraprake gjyqësore kundër përgjegjësve për krimin ndaj atyre që protestuan në mënyrë paqësore
I nderuari Prokuror i Shtetit,
Shpresoj se sinqerisht dhe në mënyrë profesionale do të angazhoheni për ndriçimin e këtij krimi që nuk mund të arsyetohet me asgjë në mënyrë që pas kësaj, të gjithë ata që janë përgjegjës të dalin para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar. Drejtësia e vonuar nuk është drejtësi e dështuar ndërsa drejtësi e dështuar mund të llogaritet vetëm krimi i pahetuar!
Me respekt, Behxhet Sh.SHALA, Drejtor Ekzekutiv
9 shkurt 2011 Prishtinë